Ervis Iljazaj: Më dramatike se humbja, është mungesa e reflektimit në PD

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse pritej, Sali Berisha nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Madje, ka paralajmëruar protestë në datë 16 maj. Ky është një zakon i vjetër i politikës shqiptare, por sidomos i Partisë Demokratike në tri garat e fundit. Një retorikë që tashmë ka lodhur dhe vetë demokratët shqiptarë të cilët e shohin veten për të katërtën herë radhazi në opozitë. Kësaj herë humbja ishte dramatike, siç në fakt ishte e paralajmëruar për shumë arsye. Por më dramatike se humbja është mungesa e vullnetit për të reflektuar dhe për të ndryshuar se çfarë mund të bëhet më mirë për të ardhmen.

Sali Berisha dhe Partia Demokratike fajëson gjithë botën për humbjen, me përjashtim të sjelljes së saj. Fajin për humbjen e Partisë Demokratike e kanë mediat, e ka Altin Dumani, e kanë analistët, madje e kanë dhe shqiptarët që nuk e votojnë dhe vazhdojnë të votojnë Edi Ramën, por vetëm Sali Berisha nuk ka faj.

Sjellja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje ishte shembulli tipik , për t’u shkruar në manual politik, se si të bësh gjithçka për të humbur një garë. Partia Demokratike kishte si kandidat për kryeministër një person që ka 35 vite në politikë dhe që e drejton atë parti, si asnjë vend tjetër në Europë dhe me shumë gjasa edhe në botë. Por ajo nuk ka faj dhe s’ka përse reflekton për rezultatin. Listat e Partisë Demokratike ngjasonin me listat e viteve 2000, njerëz që u shplurosën dhe u rikthyen si kandidatë për deputetë, apo njerëz që nuk ngjallin asnjë besim dhe asnjë frymë për ndryshim. E megjithatë, përsëri në PD askush nuk i vë gishtin kokës të mendojë apo reflektojë. Kudo që kishte njerëz të rinj, punëtorë dhe dinjitozë si për shembull në Kavajë dhe Qarkun e Lezhës, Partia Demokratike fitoi. Ndërkohë që në shumicën e rasteve kishte njerëz që kritierin e vetëm kanë besnikërinë ndaj Berishës dhe asgjë më shumë.

Se përse Berisha nuk njeh asnjë përgjegjësi dhe nuk fajëson veten për vendimet që ka marrë kjo është e kuptueshme. Është e qartë që ai do të mbyllë çdo lloj diskutimi në këtë drejtim dhe të vazhdojë të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Edhe protesta që ka thirrur ka pikërisht këtë synim. Të mbyllë çdo diskutim dhe të largojë çdo përgjegjësi për humbjen. Ajo që nuk kuptohet është fakti se si ka mundësi që askush nga Partia Demokratike, nga deputetët që u zgjodhën apo kandidatët për deputetë, nga drejtuesit politikë apo njerëz në opinion publik pranë Partisë Demokratike, nuk ka guximin të bëjë qoftë edhe një kritikë të vogël ndaj Sali Berishës dhe vendimeve të tij.

Edhe pse PD kanë marrë rezultatin më të dobët në historinë e saj, askush se ka guximin të thotë qoftë edhe një fjalë. Të gjithë po rrinë të heshtur, në pritje të vendimeve të liderit të tyre, duke u sjellje si njerëz që as mendojnë as kanë karakter dhe as kuptojnë.

Ky raport në fakt, raporti që kanë demokratët me Sali Berishën nuk shpjegohet politiksiht por vetëm psikologjikisht. Sepse është e pabesueshme se si falin çdo gabim të Berishës, se si sakrifikuan çdo gjë për rehabilitimin e tij dhe pësuan një humbje dramatike, dhe përsëri nuk kanë asnjë kritikë kundër tij. Është për t’u admiruar se si një person i vetëm i është imponuar për 35 vite jo vetëm politikisht, por edhe psikologjikisht. Dhe këto shenja duket sot, kur të gjithë do të vazhdojnë ta ndjekin deri sa Partia Demokratike të shuhet me shuarjen politike të Sali Berishës. Me sa duket këta njerëz e konsiderojnë Partinë Demokratike jo një parti politike por shtëpinë dhe pronën private të Sali Berishës dhe nuk kanë kurajo t’i thonë që duhet të largohesh. Mbase kanë të drejtë! Si mundet ti thuash pronarit, ik nga prona jote !

Exit mobile version