Nga Ervis Iljazaj
Nga hetimet, akuzat apo edhe arrestimet që po kryen Struktura e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka nisur një debat publik nëse kjo është një drejtësi represive apo jo. Ka nga ata që mendojnë se SPAK po tregon një politikë penale të ashpër, që ndoshta tejkalon misionin e tij. Janë të shumtë ata që bëjnë opinionin publik, por edhe ekspertë dhe juristë të cilët mendojnë që prokuroria me sjelljen e saj po ndërhyn brutalisht në politikë, apo siç e quajnë ndryshe ’’Republika e Prokurorëve ’’ . Sidomos këtë mendim e kanë kur bëhet fjalë për ’’arrestet me burg’’.
Në fakt shifrat tregojnë një realitet tjetër sipas raportit të publikuar nga vetë SPAK. Sipas tyre, vetëm 37 përqind e personave të hetuar nga ata kanë masën e arrestit me burg, dhe nga të gjithë personat që janë me këtë masë në Shqipëri vetëm 9,7 përqind janë të akuzuar nga SPAK.
Ky perceptim është krijuar vetëm nga raste që bëjnë zhurmë në opinionin publik, kur bëhet fjalë për persona me nivel të lartë pushteti siç janë rastet e Ilir Metës apo Erion Veliajt.
Sigurisht që masat arrest me burg për ta ndoshta janë të ekzagjeruara, por kjo s’do të thotë që ne kemi një drejtësi represive. Personalisht mendoj se personat e zgjedhur duhet të kenë masa me arrest me burg vetëm me një vendim të formës së prerë. Megjithatë, ky është thjesht mendim personal dhe një gjë e tillë nuk është e shkruar në asnjë ligj në Shqipëri.
Përtej kësaj, nëse në të vërtetë sot ka hetime, akuza apo arrestime në nivele të larta të pushtetit dhe politikanë të rëndësishëm, me dashje apo pa dashje, SPAK po ndikon në politikë. Kjo gjë nuk mund të evitohet përderisa zyrtarët në Shqipëri janë perceptuar si të koorruptuar nga qytetarët shqiptarë për dekada me radhë.
Problemi qëndron, se këtë mundësi, pra, këtë korpus ligjor që drejtësia me hetimet e saj ndërhyn në politikë, ia ka dhënë vetë me duart e saj politika prokurorit. Si të thuash, politika shqiptare, me ligjet që ka votuar apo reformat që ka miratuar në Parlamentin e Shqipërisë gjendet sot e zhveshur, pa mbrojte përballë drejtësisë. Në këtë kuptim, pyetja që duhet ngritur është nëse prokurorët e SPAK janë duke zbatuar ligjet apo jo? Nëse ligjet janë të këqija, nëse korpusi ligjor që ne kemi në fushën penale është represiv dhe jo liberal, kjo nuk është një çështje e prokurorisë, por e vetë politikës që ka aprovuar këto ligje. Nëse mendojnë kështu, atëherë le të ulen bashkërisht në Parlament dhe të aprovojnë ligje apo reforma të ndryshme që e bëjnë politikën penale në Shqipëri më liberale, ku të mbrohet individi dhe të kemi një drejtësi garantiste edhe më shumë.
Kjo gjë, pra heqjen e mburojave të saj përballë drejtësië, politika shqiptare ka filluar që në vitin 2012 kur kufizoi imunitetin paralmentar të deputetit. Në mënyrë populiste, klasa politike shqiptare bëri ndryshime kushtetuese dhe i hoqi institucionit pralmentar një instrument të rëndësishëm të balancimit dhe ndarjeve të pushtetit. Imuniteti parlamentar nuk është një privilegj i deputetit, por një instrument që e ruan këtë institucion nga ndërhyrjet e drejtësisë me qëllime politike. Imuniteti parlamentar është një instrument që ka ekzistuar që me lindjen e parlamentarizmit. Ashtu sikurse politika nuk duhet të ndërhyjë në punët e drejtësisë, ashtu edhe drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në punët e politikës.
Më pas, klasa politike shqiptare vazhdoi me aprovimin me unanimitet të Reformës në Drejtësi , ku u krijua një super strukturë e posaçme si SPAK që do të hetonte krimin e organizuar dhe zyrtarët e lartë. Partia Demokratike, që sot kaq shumë e kritikon këtë organ, ka dhënë votën vetëm për ligjin organik të SPAK në momentet që po formoheshin organet e reja të drejtësisë. Në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që një reformë, aq më tepër në drejtësi, të aprovohet me unanimitet në parlament. Sigurisht kjo ndodhi falë presionit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan.
Klasa politike shqiptare, që sot ankohet se SPAK po ndërhyn brutalisht në punët e saj, e ka krijuar me duart e veta këtë organ. Me duart e saj sot gjendet pa asnjë mbrojtje përballë prokurorisë. Këtë gjë e ka bërë si një presion në rritje e komunitetit ndërkombëtar, por edhe presionit në rritje të opinionit publik shqiptar që gjithmonë e më shumë kërkon hetimin e politikanëve të niveleve të larta. Jo më kot SPAK, sot është institucioni më i besueshëm në Shqipëri. Kur kanë aprovuar këto ligje, kanë patur iluzionin se ajo që do të ndodhte ishte pikërkisht ajo që ka ndodhur 34 vite, ku gjithsesi politika ja ka dalë t’ja hedhë përballë drejtësisë me mekanizma të ndryshme, dhe ka menduar se nuk do t’i vinte radha për t’u hetuar. Problemi qëndron, se kësaj here, koha dhe shqiptarët, madje dhe procesi i Integrimit Europian, kërkon një raport ndryshe midis drejtësisë dhe politikës. Një raport që ndoshta nuk është i balancuar, ku drejtësia ka marrë avantazh, por kjo është drejtësia që vetë politika jonë ngriti me duart e saj. Duke qenë se kjo drejtësi tashmë ka dalë jashtë kontrollit, tashmë duhet të bëjë llogaritë me të.
Si përfundim, ajo që duhet sqaruar për opinionin publik është vetëm fakti nëse SPAK po zbaton ligjet apo jo ? Nëse pastaj ligjet janë të ashpra dhe duket sikur kemi një drejtësi represive që ndërhyn në punët e politikës, kjo pastaj është çështje e politikës dhe jo e SPAK që është aty vetëm për të zbatuar ligjet e Republikës së Shqipërisë./liberale.al