Ervis Iljazaj: Teknologjia e pamundur të ndalohet, thjesht ajo mund të monitorohet

Ervis Iljazaj

Qeveria ka njoftuar mbylljen e rrjetit social Tik-Tok. Iniciativa lindi si pasojë e vdekjes së një adoleshenti pranë një shkolle të Shqipërisë. Si për t’ju shmagur përgjegjësisë për rritjen e dhunës tek adoleshentët shqiptarë, qeveria ia faturoi përgjegjësinë TikTok-ut si një rrjet social që shpërndan mesazhe dhune, duke bërë kështu që të shmangej një debat i vërtetë përgjegjësie institucionale për rritjen e kulturës së dhunës te të rinjtë.

Problemi qëndron se avancimi i teknologjisë tashmë është një proces i pashmangshëm. Është e kotë të përpiqesh të ndalosh rrjetet sociale apo teknologji të ndryshme. Thjesht është e pamundur. Atë që po bëjnë shoqëritë e zhvillura dhe demokratike nuk është ndalimi, por kontrolli i tyre. Sa do të mundohesh të ndalosh një rrjet social në të ardhmen do të dalin të tjerë. Ky është një proces tashmë që është pjesë e jetës sonë, dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë e më shumë në të ardhmen.
Prandaj qeveria shqiptare në vend që të propozojë mbylljen e tyre duhet të merret seriozisht se si ti monitorojë, ssi të kontrollohen dhe se si ato të bëhen më të sigurtë, sidomos për adoleshentët.

Ideja se një vend mund të ndalojë lirinë për hir të sigurisë, është ide e vendeve diktatoriale. Në vendet diktatoriale nuk ka liri, por ka siguri. Ndërsa në vendet demokratike liria monitorohet, nuk ndalohet. Nëse hapim orekse të tilla për qeverinë, në të ardhmen kjo mund të jetë me rrezik për demokracinë. Në emër të sigurisë qeveria do të vazhdojë të ndalojë lirinë e njerëzve.

Aq më tepër ku debatet për teknologjinë dhe rrjetet sociale dhe ndikimet që kanë ato në jetët tona, debate që zhvillohen kudo, por askund nuk propozohet ndalimi apo mbyllja e tyre. Fakti që një qeveri është e paaftë për ta monitoruar teknologjinë apo rrjetet sociale, fakti që nuk arrin dot të ketë ligje të mira në këtë drejtim dhe ti bëjë të zbatohen ato, çon në zgjidhje më të thjeshta, në ndalimin e tyre. Çështja është se si të jemi dhe shoqëri e lirë, por edhe lirinë ta monitorojmë. Patjetër që liria ka dhe efekte kolaterale, si krime apo dhunë. Vetëm në vendet diktaroriale nuk ka krime, pasi liria ndalohet.

Por kjo nuk do të thotë që edhe ne të ndalojmë liritë tona. Teknologjia, apo dhe rrjetet sociale qofshin ato, kanë si të gjitha instrumentat e tjera anën negavite dhe pozitive të tyre, varet për çfarë i përdor. Njësoj si energjia nukleare. Ti mund ta përdorësh atë për bombë bërthamore, por edhe për të furnizuar me energji vende të tëra.

Edhe teknologjia ka anën e saj pozitive në komunikim, biznes apo edhe politikë. Kështu ndalimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhja. Disiplinimi i këtyre instrumenteve po. Mirëpo, kjo kërkon një përpjekje serioze nga institucionet dhe jo thjesht një zgjidhje sa për të kaluar radhën. Vdekja e një të riu 14-vjeçar duhet të shërbejë pikërisht për të adresuar të gjitha këto probleme, dhe jo të ndodhë siç ndodh shpesh, që mbas tri ditëve kjo histori të harrohet dhe askush të mos merret më këto fenomeme shoqërore.

Mbylja e rrjeteve sociale është zgjidhja më e lehtë dhe më komode. Tregon dështimin e shoqërisë dhe institucioneve tona. Aq më tepër që kultura e dhunës midis adoleshentëve nuk vjen vetëm nga rrjetet sociale, por nga një kulturë që promovohet në media, në politikë dhe në pjesë të tjera që s’kanë lidhje me TikTok-un. Modeli i lumturisë që promovohet në shoqërinë tonë, përtej rrjeteve sociale, është modeli i të fortit. Rrjetet sociale nuk janë shkaktari i vetëm i dhunës, dhe mbyllja e tyre nuk të çon asgjëkundi. Është thjesht një iluzion i zgjidhjes së problemit.

Artikulli paraprakAksidentet në punë, gjatë 2024 janë regjistruar 177 raste! Cilët janë dy sektorët më problematikë që vënë në rrezik jetën e punëtorëve
Artikulli tjetërHakmarrja si Energji Politike: Një Retorikë me Pasoja