Nënkryetari i PD-së Roland Bejko ishte sot në ‘Studio Live’ teksa për gazetarin Arbër Hitaj komentoi zhvillimet e fundit nga kampi opozitar dhe forca që përfaqëson.
Sa i përket ‘rishpalljes’ non grata të Berishës nga Escobar dhe Britania e Madhe, Bejko thot se iu dha një mesazh i fundit mbështetësve të mbetur të Berishës, se kanë ende kohë të kthehen.
‘Pas pak ditësh është gjyqi i vulës, logos. Deklarata e Escobar i adresohet edhe një target grupi si mbështetësit e zotit Berisha. Të cilëve iu thuhet se jeni në rrugën e gabuar. Ai është i izoluar edhe nga faktori ndërkombëtar. Këtë e shtjelluan më tej britanikët. Qeveria britanike ka dhënë argumenta edhe më shumë dhe pse nuk mund ti hiqet non grata pasi akuzohet për nxitje korrupsioni.
Zoti Escobar certifikoi politikat e reja të SHBA në Ballkan. Duhet të mbyllin historinë me republikat e vjetra të këtij rajoni. Shqipëria është në këtë stad. Në këto kushte, kush ka dalë me besimin se Berisha do si sjelli në pushtet, ka kohë të kthehet. Berisha ka zgjedhur rrugën e gabuar pasi hallin e vet personal e futi në parti’, tha Bejko.
Ndërkohë, me interes pritet të jetë publikimi i programit të Partisë Demokratike më 1 qershor, ku sipas Bejkos do ketë surpriza.
‘PD aktualisht, sapo vij nga takimet konsultative për tezat e PD, që do jetë gati më datën 1 qershor në Tiranë. Jemi në fazën e debatimit. Janë bërë tezat kryesore të programit. Do jetë për herë të parë, PD do dalë me një program të djathtë. Do ketë shumë surpriza. Do tërheqi vëmendjen e qytetarëve shqiptarë, do gjejnë zgjidhjet. Do i bëjmë qytetarët të mendojnë. Do jetë një formë emancipimi që vota të mos jepet për një thes miell, por të dali nga debati’, shtoi nënkryetari i PD-së.
Nga ana tjetër, Bejko komentoi edhe raportimin e kreut të SPAK, Altin Dumanit në Komisionin e Ligjeve. Bejko shprehu vlerësimin e tij për Dumanin, teksa theksoi se hodhi poshtë disa mite.
‘Zoti Dumani na dha disa mesazhe. Së pari, rrëzoi tezën se Shqipëria rrezikohet nga një republikë prokurorësh. Raportoi tek një pushtet tjetër. Drejtësia shkon dhe raporton tek parlamenti. E dyta, Dumani ka treguar se ju dha mesazhe të qarta politikanëve, ku shumica e tyre janë klient dhe tha se asnjë politikanë nuk është koleg. I ka dhënë kufirin tek thana. Tregoi se është pushtet i pavarur.
SPAK nuk dëgjon lajme. Jo vetëm prej kohës, por nuk iu intereson. I mjafton korrespondenca me BE dhe SHBA. misioni i SPAK është i qartë, PD e mbështet pa rezerva. Kemi propozuar amendamente në parlament, ku parashikohet zgjatja e mandateve të prokurorëve të SPAK. Janë të rrallë ata burra, njëri prej tyre është Dumani.’
Sa i përket ballafaqimit të Dumanit me deputetët që ka nën hetim, Bejko shprehet se ata janë në hall.
‘Ata janë në hall. Nuk e di zoti Noka a ka abuzuar gjatë pushtetit. Grupi afër Berishës apo Metës, shpesh bëjnë dhe lojërat fjalësh duke tentuar ta banalizojnë punën e SPAK, duke e quajtur organizatë kriminale. Ka qenë vetë Berisha që në 2017 ka kritikuar ata që e kanë shkarkuar Dumanin. Kjo mungesë koherencë, për të cilën shquhet, janë në hall. Dhe mirë që e shfaqin, tregojnë se kanë probleme serioze me drejtësinë. Republikës së vjetër i ka ardhur fundi dhe do zëvendësohet me një republikë tjetër me mbështetje të BE dhe SHBA.’
Bejko dha edhe një koment lidhur me aludimet se Argita Malltezi mund të jetë pasuese e Berishës në krye të Rithemelimit. Bejko tha se Foltorja ka hyrë në fazën e ngrënies së vetes së vet, njerëzit po i ikin dhe zhgënjimi në rradhët e saj është i madh.
‘Zonja Malltezi është non grata. Unë jam tek PD, ajo është një organizatë familjare. Demokratët shkuan me shpresë se Berisha është më i zoti se Basha. Tani ka zhgënjim. Shkuan disa deputetët së fundmi për kalkulime. Ka filluar leximi mbrapsht edhe prej tyre. Në këto kushte me një parti familjare, partinë e quante pronë të vetën. U çudit pse bënte rezistencë Basha, vajti ta nxirrte me shqelma. Tani është në fazën e ngrënies së vetes. Foltores i mungon kauza. Nuk i qëndroi tezave morale për të cilat njoftoi krijimin. Kështu ra Roma e lashtë, hëngri veten.’, tha Bejko.
Sa i përket zhurmës së Rithemelimit, Bejko e sheh si hipokrizi pasi natën shkojnë e bëjnë marrëveshje për kulla e resorte.
‘Nuk është puna të bësh zhurmë, puna është të jesh produktiv. E bën zhurmë ditën dhe natën bën marrëveshje me ta, për kulla, resorte. Ekipi i PD-së është ekip i çliruar nga këto. Nuk ka asnjë me ngarkesa nga e shkuara. Ose janë profesionistë, politikanë ekspertë. Personalisht nuk e konsideroj kundërshtar politik Berishën. E shoh si problem që duhet zgjidhur. Ose duke u larguar vetë, që nuk ndodh. Ose duhet të gjenden rrugë të tjera duke gjykuar të shkuarën e tij. kushdo që ka ushtruar funksion publik nuk duhet të hezitojë të përballet me drejtësinë. Ai thotë unë jam ndryshe nga ligji, prandaj është politikë e vjetër. Të kërkon drejtësia të paraqitet duhet të paraqitesh. Shko atje dhe ndiq rrugët institucionale’, përfundon Bejko.