Është fare e qartë që këtu nuk ka vullnet për të përmbysur llumin që na ka zënë

Nga Jonuz Myshketa

Është fare e qartë se nuk i intereson fitorja, pasi ajo nuk i garanton asgjë.

Është fare e qartë që interesi personal prevalon mbi atë të vendit dhe qytetarëve të tij, që aq shumë i dhanë dhe pa fund i mori; e deri në fund do t’i mbrojë ato që volin e volën me radhë në kurriz të një populli kaq shumë të vuajtur, mu në zemër të Evropës tashmë, dhe kjo e fundit e mplakur.

Është fare e qartë që ai e di fort mirë se për çfarë lufton dhe është në të drejtën e tij, por ajo që për të/të është e drejtë për ne është mallkim, është kapitullim, është nënshtrim dhe dhuratë për llumin që na ka zënë.

Është fare e qartë që nuk funksionon meritokracia, demokracia, drejtësia, por luga e çorbes së prishur që vazhdon e ngin të panginjurit.

Është shumë e thjeshtë, opozita në tërësi ndarë përditë e më shumë në copëza nuk jep shenja shprese në horizont, duke bërë kësisoj llumin që na ka zënë standard mbijetese.

Është shumë e thjeshtë, qytetarët kanë nevojë për njerëz të lirë që t’i drejtojnë, që të shohin përtej hundës së tyre, të krijojnë një platformë bashkimi më të gjerë qytetar përmes atyre të shkretave ligje njerëzore që na dallojnë nga kafshët e tjera, përmes ndërgjegjes, përmes ligjit, përmes së drejtës dhe merites.

Vetëm një ngjizje rreth këtyre vlerave do ta bënte të mundur fare thjeshtë atë që sot duket e pamundur, zhberjen e së keqes, larjen e llumit; dhe ky i fundit lahet vetëm me ujë të kulluar, të freskët, të rrjedhshëm e jo me degezime të vetë asaj që duhet të hiqet.

Është fare e thjeshtë,
por kërkon:
dashuri për vendin,
respekt për veten,
familjen,
pronën,
frikë ndaj Zotit

Artikulli paraprakQazim Laçi: Ndeshje e veçantë me Ukrainën, luajmë në Çeki te stadiumi im…
Artikulli tjetërDorëshkrimet e Franz Nopcsas në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare! Gjashtë ditarët ku ruhet trashëgimia albanologjike e baronit