Është ideologjia që na ndan jo karrigia!

Nga Ermal Peçi

Para dy ditëve u trumpetua me të madhe në çdo media në çdo hapësirë e rrjeteve sociale vajtja e grupit të Bardhit për herë të parë në seli për takim me grupin e Rithemelimit të Berishës. I gjithë ky bashkim ka ndodhur kur Sali Berisha ka më shumë se një muaj që ndodhet në arrest shtëpie. Bashkimi i opozitës që ndodhi dje ishte vetëm de jure se de facto ata bashkë kanë qenë që kur Bardhi bojkotoi vendosjen e 61 kandidatëve nga PD, në zgjedhjet e 14 majit, por dhe zbritja në terren e deputetëve të Bardhit për të mbështetur kandidatët e foltores. Formatizimi i këtij bashkimi dhe rreshtimi i tyre poshtë ballkonit të Berishës është lajmi më i mirë për shqiptarët sepse e djathta sot ka një ndarje ideologjike dhe morale. Në fakt prej vitit 2013 opozita ka pasur një problem madhor në sytë e shqiptare, karta morale. Karta morale ishte sepse PD-ja nuk po krijonte institucione inkluzive, por sa vinte dhe mbyllej në vetvete ose riciklonte figura, të cilat kishin perceptimin moral në publik se ishin hajdutë dhe se nuk përfaqësonin asgjë nga vlerat e djathta.

Në këtë bashkim mekanik që u realizua tashmë u bë e qartë edhe për qytetarët që ndasia brenda PD-së nuk është vetëm konceptuale mes të vjetrës dhe të resë, as për të qenë dublues, por është thellësisht ideologjike. Është ideologjike sepse ishte Lulzim Basha ai që mundësoi shkatërrimin kreativ brenda së djathtës, por jo vetëm kaq. Në dinamizmin politik tashmë pavarësisht bindjeve politike, politika është ndarë në dy pole, ata që mbështesin drejtësinë dhe ata që e sulmojnë drejtësinë. Në individë, të cilët SHBA-në e kanë busull orientimi dhe në individë që kanë busull vetëm interesat e tyre okulte dhe i thërrasin sovranizmit kur e kanë lakun në fyt. Në individë që sulmojnë oligarkët me emër dhe i dërgojnë në SPAK dhe në individë që fshihen duke thënë se fajin e ka sistemi pa guxuar të përmendin asnjë emër. Kjo është ndasia që ka sot klasa politike shqiptare, e cila është komplet ideologjike dhe jo një luftë për karrige. Partia Demokratike e ka bërë zgjedhjen e saj në këtë sfidë që përballet vendi jonë, tashmë ju të tjerët duhet të vendosni se në cilën anë do të rreshtoheni.

Artikulli paraprak“Që po protestoni kundër Bashës e Alibeajt e dimë, por kini pak më shumë respekt për inteligjencën e njerëzve”/ Gaba: Jeni bërë meme!
Artikulli tjetërKomisioni i Reformës Zgjedhore mblidhet online, seancë dëgjimore me partitë politike, Alibeaj: Mund të marrin pjesë edhe ato subjekte që…