Namir LAPARDHAJA
Është bërë e udhës vitet e fundit në PD që sa herë ka zgjedhje, të pakënaqurit e listës së deputetëve kërkojnë pas humbjes dorëheqjen e kryetarit. Kështu bën edhe në 2017. Në fund, gjithçka përfundon me një rritje “pazari”. Bëhen ca marifete, dhe në fund ca përfundojnë në kryesi, ca në parti e ca gjetkë.
Ata që s’kapin ndonjë “kockë” në këtë drejtim, e kanë zgjidhjen gati: krijojnë parti dhe vetëzgjidhen kryetar. Dhe kështu vijon historia.
Problemi është se PD nuk ndodhet në kushtet për të parë fatet personale të askujt.
PD është aset i padiskutueshëm kombëtar dhe si e tillë duhet ruajtur.
Edhe nga pronësia, edhe nga ligësia, edhe nga paaftësia, edhe nga shurdhëria, edhe nga miopia.
Sigurisht që në zgjedhjet e fundit PD nuk ka qenë në kushte të barabarta, as të favorshme.
Sigurisht që kundërshtari përballë i ka luajtur të gjithë gurët e paligjshmërisë.
Për ne që kemi qenë të angazhuar fort në fushatë, është e qartë se kundërshtarët tanë kanë bërë gjithçka të paligjshme që kanë pasur në dorë për të arritur atë rezultat që kanë marrë. Kur them gjithçka, do të thotë GJITHÇKA, pa lënë gjë mangët.
Por e gjithë kjo ka nevojë për një reflektim të thellë, për një angazhim të gjithanshëm, për një vizion që tejkalon vetveten, për një rithemelim të të gjithë së djathtës shqiptare, për një parti të qartë ideologjike, për kauza të mëdha morale, për garë të ndershme brenda saj, të pandikuar, as nga të vjetrit, as nga të rinjtë; për frymëmarrje të gjallë, për shndërrimin e një partie elektorale, për qarkullim elitash, për një sinergji të gjithanshme vlerash, për qartësi në mision dhe në qasje ndaj gjithçkaje.
Sot fati i atdheut është i rrezikuar nga një regjim oligarkik dhe rreziku më i madh i demokracisë është që nuk mund të realizohet rotacioni me mjetet që demokracia ka në dispozicion (zgjedhjet).
Të hedhësh sot gurë mbi PD-në është gjëja më e lehtë. Shndërrohesh lehtësisht në personazh mediatik etj.
Por edhe që gjithçka të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, është e papranueshme.
Është koha për të parë mbi interesat vetjak dhe për ta lexuar qartë realitetin e ri të krijuar pas këtyre zgjedhjeve.
Mbi çdo kosto për fatet personale në PD, e djathta duhet të shndërrohet sa më parë në alternativë konkurruese për shqiptarët.