Drejtuar:
Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Trump
Kancelares së RF të Gjermanisë, zonjës Angela Merkel
Kryeministres së Britanisë së Madhe, zonjës Tereza May
Presdientit të Republikës së Francës, zotit Emmanuel Macron
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta
Presidentit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thacci
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, zotit Edi Rama,
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Ramush Haradinaj
Partive politike parlamentare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës
Memorandum
Eshtë koha ta mbrojmë Kosovën nga ndarja, copëtimi dhe shpërbërja e shtetformimit të saj!
Të nderuar shkelqësi!
Instituti i Studimeve të Europës Juglindore me qendër në Tiranë dhe në Prishtinë ju drejtohet me këtë memorandum për një çeshtje madhore e jetike, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe rritjes së përpjekjeve për ta bërë atë anëtare të OKB-së dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare!
Të shqetësuar për diskutimet e sotme lidhur me përmbylljen e dialogut të Prishtinës me Beogradin përmes ndarjes së Kosovës dhe në emër të korrigjimit të kufijve,
Të tronditur nga deklaratat dhe përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve politikë e shtetërorë në Beograd për të imponuar përfitime territoriale në Kosovë në emër të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb,
Të zhgënjyer nga qëndrimi i klasës politike të Kosovës dhe sidomos nga deklaratat e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për kompromis të dhimbshëm me Serbinë duke i dhënë asaj pjesë të territorit të vendit,
Të keqardhur për deklaratat e papërgjegjshme të disa autoriteteve ndërkombëtare, sipas të cilëve në dialogun Prishtinë-Beograd “mund të diskutohet për mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse palët bien dakord”,
Ju drejtohemi ju me kërkesën tonë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën sovrane të popullit e qytetarëve të Kosovës që t’i jepet fund diskutimit për opsionin e ndarjes së Kosovës dhe të mos mbështeten ide të tilla për disa arësye:
1. Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në periudhën e Jugosllavisë me vullnetin politik dhe jurodik të tri dhomave të legjislativit të asaj kohe, parlamentit të Jugosllavisë, parlamentit të Serbisë dhe parlamentit të Kosovës. Si të tillë këta kufij ishin element konstituiv i ish-Federatës Jugosllave, njësoj si kufijtë e shteteve të tjera ish-republika të dala nga shpërbërja e kësaj federate. Komisioni Ndërkombëtar i Banditerit i vitit 1992, kur miratoi njohjen e shteteve të reja ish-jugosllave, vendosi që këto shtete të njihen në kufijtë federativë. Kosova është shtet i pavarur si produkt i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë.
2. Kosova është njohur nga 114 shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 7 vendet më të industrializuara të botës dhe 23 vende anëtare të Bashkimit Europian në kufijtë aktualë të saj. Çdo ndryshim i këtyre kufijve do të thotë cënim i vullnetit politik të njohjes së këtyre vendeve. Theksojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera të BE-së dhe NATO-s janë aktori kryesor i çlirimit të Kosovës nga sundimi mizor i Serbisë dhe sponsori kryesor i shtetësisë së saj. Çdo devijim ose korrigjim i kufijve cënon njëkohësisht mbrojtjen e investimit amerkiano-europian e të NATO-s për këtë vend.
3. Opsioni i ndarjes së Kosovës është refuzuar kategorikisht në dokumentin e Martti Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit vendet e tjera më të fuqishme të botës kanë sponsorizuar krijimin dhe shtetndërtimin. Kushtetuta e Kosovës ndalon ndryshime në pakon Ahtisaari. Për pasojë shumica e politikanëve dhe e qytetarëve të vendit nuk do t’i pranojnë ndryshimet kushtetuese, me të cilat ndryshon edhe harta e Kosovës. Kjo do të thotë nxitje e luftës dhe konfliktit në këtë vend.
4. Ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës dëmton rëndë interesat politike, ekonomike, strategjike dhe jetike të saj, por edhe të SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në veriun e Kosovës, të cilën kërkon ta aneksojë Beogradi përmes marrëveshjes me zotin Thaçi, gjendën 90 përqind e rezervave të pasurive minerale, si dhe rezervat ujore me të cilat furnizohet më shumë se gjysma e Kosovës, përfshirë kryeqytetin e vendit, Prishtinën. Në veriun e Kosovës gjendet maja më e lartë e Ballkanit, nga ku kontrollohet i gjithë territori i gadishullit deri në Detin e Zi, Bosfor e madje Lindjen e Mesme. Në veriun e Kosovës gjendet pjesa më e madhe e gjigandit industrial, Trepçës. Të gjitha këto pasuri të llogaritura në 200 deri në 300 milardë dollarë rerzerva do t’i kalonin Serbisë. Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen me këtë humbje katastrofike. Në vend që Serbia të dëmshpërblejë dëmet e jashtëzakonshme që i shkaktoi në luftën e fundit popullsisë së Kosovës, ajo dëshiron të marrë prej saj pasuritë më të mëdha të vendit.
5. Nndarja e Kosovës ishte gjithashtu opsion i Milosheviçit. SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së ishin aso kohe (para luftës) kundër këtij opsioni, prandaj dhe ndodhi bombardimi i caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë nga NATO. Nëse do të ndodhte sot ndarja, atëherë kjo do të ishte fyerje e rëndë për humbjet e mëdha në luftë, përkatësisht për 16 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit serb të Milosheviçit, për 20 mijë gra dhe vajza të përdhunuara nga ushtarët dhe policët serbë në Kosovë, për dëmet kolosale në pasuritë e tundshme e të patundshme të Kosovës, të cilat llogariten në mbi 20 miliardë dollarë amerikanë. Çdo devijim nga politika e atëhershme për respektimin e tërësisë territoriale të Kosovës është e do të jetë goditje e rëndë dhe me pasoja të pariparueshme për fatin e Kosovës.
6. Projekti i tjetërsimit të territorit të Kosovës dhe ndarjes së tij është hartuar në Beograd dhe mbështetur nga Moska. Ne konsiderojmë se me ndarjen e saj Rusia dhe Serbia llogarisin në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë që ajo të bashkohet me Shqipërinë . Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Serbia legjitimohet të kërkojë krijimin e federatës serbo – boshnjake. Për pasojë Rusia do të ndërtojë baza ushtarake antieuropiane në territorin e Republikës Srpska. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian nuk mund të lejojnë që Serbia dhe Rusia të shtrijnë influencën politike dhe ushtarake në Serbi dhe Republikën Srpska, e cila posedon një rrip të ngushtë të Bregdetit Adriatik. Kjo do të ishte një goditje e rëndë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ballkanik e europian.
7. Efektet e ndryshimit të kufijve të Kosovës do të shtrihen në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Greqi, vende të cilat kane konflikte dhe probleme etnike të shumta me fqinjët. Ndarja e Kosovës do të përdoret nga Moska si formulë e modelit të ndarjes së Ukrainës, Moldavisë, Lutuanisë, Letonisë dhe do të legjitimojë aneksimin prej saj të Krimesë. Përfundimisht do të ndodhë një zingjir konfliktesh etnike. Në këtë pikëpamje ndarja e Kosovës shndërrohet në precedent, ndërkohë që pavarësia e saj ishte rrjedhë logjike e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe dhunës së Serbisë ndaj shqiptarëve.
Shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e këtyre projekteve. Ata janë pozicionuar tashmë qartë si aleatë të besueshëm e të pakontestueshëm të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së e për pasojë nuk duan të krijohen precedente të reja, të cilat bëhen shkak për konflikte të reja në rajon.
8. Në Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë ideja e ndarjes mbështetet nga oligarkët e korruptuar, të përfaqësuar përkatësisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndarja e Kosovës është vullnet politik i këtyre tre oligarkëve, të cilët për arësye të dyshimta bashkëpunojnë me oligarkë të tjerë të lindjes. Këta të tre janë në lidhje të ngushta me ish-bashkëpunëtorët e Milosheviçit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duhet të kontribuojnë për ndërtimin e shtetit të së drejtës në këto vende dhe në vende të tjera të rajonit. Nuk duhen marrë për asnjë cast në konsideratë idetë dhe pikëpamjet e udhëheqësve të korruptuar dhe oligarkë të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës, sepse ato nuk i hapin rrugë perspektivës së zhvillimit të këtyre vendeve dhe të rajonit në paqe, stabilitet e siguri. Ndërkohë ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës ka si qëllim zgjerimin e tregut të oligarkëve në pushtet në Shqipëri, Kosovë e Serbi e deri në Turqi e Rusi. Ujdia për këtë do të jetë thjesht një ujdi interesash për pastrimin dhe investimin e parave të pista reciprokisht në këto vende. Beogradi e ka stil të tij joshjen financiare dhe materiale të politikanëve shqiptarë e të tjerë. SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së, sidomos Gjermania, Britania e Madhe e Austria, si aleatë të sigurt e të përhershëm të shqiptarëve, si kontributorë e sponsorë të paqes, demokracisë dhe të së drejtës, duhet ta ndalojnë këtë proces.
9. Eshtë e vërtetë se Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është në Kosovë. Për pasojë Kosova duhet konsideruar si pjesë e Aleancës së Atlantikut e të trajtohet sa i përket territorit njësoj si vendet anëtare të kësaj Aleance. Ndaj çdo tentativë e ndryshimit të kufijve të këtij vendi do të ulë imazhin e NATO-s dhe BE-së në sytë e opinionit ndërkombëtar, si dhe do të lëkundë besimin e banorëve të saj në këta faktorë dhe aktorë të fuqishëm e përcaktues gjeopolitikë në botë. Çdo lëshim për ndryshim të kufijve ose cënim të shtetësisë së Kosovës përmes krijimit të një shteti serb në territorin e saj do të lexohet si dobësi e politikës dhe diplomacisë amerikane e europiane dhe kjo do të shfrytëzohet për përfitime nga kundërshtarët e tyre në pikëpamje strategjike dhe nga iligarkët në pushtet.
10. Nëse ndahet Veriu i Kosovës me vetëm 30 mijë serbë banorë të tij, atëherë askush nuk do të ketë të drejtë të ndalojë ndarjen e Maqedonisë me 700 mijë shqiptarë banorë të saj. Nuk mund të ndalet ndarja e Serbisë me 60 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës, dhe pakica të tjera në Vojvodinë e Sanxhak, ndarja e Greqisë me qindramijë shqiptarë banorë të saj në Çamëri, ndarjen e Malit të Zi po me gati 50 mijë shqiptarë si banorë autoktonë në vazhdimësinë e kufirit me Shqipërinë. Me ndarjen e Kosovës asgjë nuk do të jetë më si më parë as për shqiptarët në Ballkan. Kjo do të thotë konflikt dhe luftë midis popujve të Ballkanit.
Ndarja e veriut të Kosovës do të shkaktonte vale dhune kundër serbëve ne enklava në brendësi të vendit, sepse shqiptarët do t’i shihnin ata si rrezik permanent për larine, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit. Ndarja e Kosovës do të çontë në krijimin e shteteve të pastra etnike. Kjo lëvizje do të krijojë konflikte të panumërta në Europë dhe në të gjitha kontinentet e tjera. SHBA-të dhe BE, së bashku me NATO-n, janë të fuqishme ta parandalojnë këtë.
11. Nëse fillon procesi i ndarjes së Kosovës, parlamenti i tij nuk do ta ratifikojë një marrëveshje të tillë. Ndërkohë në Kosovë do të fillonte një lëvizje e fuqishme popullore antiserbe, me kërkesën që Serbia të zhdëmtojë Kosovën për krimet e dëmet e shumta në luftërat e mizoritë e saj të para 20 viteve. Familjet e mbi 1600 të pagjeturve, të cilët janë marrë të gjallë dhe asgjësuar në Serbi dhe të cilëve u janë marrë organet e brendshme për transplante, do të shpërthenin në një revoltë legjitime të tyre në mbrojtje të sovranitetit shtetëror. Kësaj mase të madhe njerëzish do t’i bashkoheshin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja do të mbetet një relike me shije të keqe. Aktualisht të gjitha forcat politike në Kosovë, si dhe kryeministri dhe kryetari i parlamentit të vendit janë kundër idesë së zotit Vuçiq, zotit Rama dhe zotit Thaçi për të ashtuquajturën “korrigjim të kufijve”!
Në këto kushte i bëjmë thirrje SHBA-ve, RF e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian e të NATO-s të shtojnë presionin mbi Beogradin që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të kërkojë ndjesë për krimet e paimagjinueshme që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve, pa diskutuar në dialog për territoret e saj. Ndërkohë që i bëjmë thirrje lidershipit politik në Kosovë të kompaktësojë veprimet e qëndrimet e veta si dhe të garantojë komunitetin ndërkombëtar për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të pakicave përfshirë serbët në Kosovë. Autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë e kudo në Ballkan duhet të distancohen dhe bëjnë presion të parandalojnë një katastrofë të re në hapësirën shqiptare e në Ballkan. Shqiptarët kanë dhe do të kenë dobi, prosperitet dhe zhvillim vetëm në kushtet e paqes, harmonisë me veten e me fqinjët si dhe në aleancë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të!
Instituti i Studimeve të Europës Juglindore
Tiranë, Prishtinë, 12.10.2018