Nga Alban Daci
Po qarkullon kohët e fundit kjo shprehje që nënkupton se: Ramës po i mbaron radha e prandaj duhet ta marrin këta! Për këta që kanë qenë e duan të vijnë përsëri pushtetin e kuptojnë si çështje radhe!
Pra, e merr pushtetin se të vjen radha dhe duhet t’a lësh pushtetin nëse radha mbaron! Ngjanë pak si dikur me radhën për qumështin e kjo dëshmon faktin se nuk janë shëruar nga mendësia e radhës!
Pushteti kështu është si çështje eskluzive vetëm e tyre, që e lënë dhe e marrin me radhë e me marrveshje mes vetit!
Këta në radhë për pushtet prej 34 vitesh e shqiptarët në radhë për punë, për t’u larguar, në radhë për varfëri, në radhë për të paguar, në radhë për të marr pensionet apo bonusin e famshëm!
Nuk di ndonjë Opozitë në vendet demokratike të shprehet se tani është radha e tyre për pushte! Pra, me konceptin e radhës, këta nuk janë munduar kurrë t’a rrëzojnë Ramën para, sepse paskan pritur radhën!
Prandaj, Rama paska qenë i qetë se ju paska thënë prisni të mbarojë radha ime e do vijë radha juaj! Mirë se këta po presin prej gjithë kësaj kohe radhën nga Rama, por nuk jam i sigurt nëse ky i fundit është i vetëdijshëm se radha e tij është drejt fundit!
Në fakt këta që presin radhën e kanë bërë edhe shumë herë të tjera në këto 34 vite, e kanë pritur dhe marrë radhën në 92, ’96, 2005, 2009 dhe pastaj e humbën në 2013!
A duhet të ketë ndonjë fund ky cikli i radhëve për pushtet në Shqipëri?
Shqipëria ka nevojë vetëm për një radhë pushteti që funksion me marrëveshje apo për një rotacion real elitash dhe pushteti?
A ka kuptim më që shqiptarët në radhë për hallet e tyre që nuk ndryshojnë në gjithë këto vite të presin radhën e këtyre që e kanë pasur dhe nuk kanë sjellë asgjë të re?
A duhet të ketë ndonjë model, kauzë apo një linjë reale arsye e marrjes së pushtetit apo duhet të jetë çështje radhe? Nëse këto e konsiderojnë marrjen e pushtetit si çështje radhe a është një pushtet vetëm në shërbimin e interesave të tyre duke shpërfillur aspiratat reale të shqiptarëve?
Nuk e di nëse shqiptarët do e pranojnë me këtë “radhën” e pushteti mes dy kategorive që kanë 34 vjet që pushtetin e ndajnë po me radhë dhe me marrveshje mes vetit!