Mesfushori i Manchester United, Juan Mata, thotë se ka një rrugë të gjatë për të përshkuar në garën e titullit, pavarësisht formës së pabesueshme të Manchester City këtë sezon. Skuadra e Guardiolës ka fituar 14 dhe ka barazuar 1 nga 15 ndeshjet e Premier League, në këtë sezon, duke krijuar një distancë prej tetë pikësh nga ndjekësi më i afërt në klasifikim, Manchester United. Rivalët e të njëjtit qytet do të takohen në derbin e Manchesterit, në “Old Trafford”, të dielën, dhe Mata sheh një mundësi të madhe për ta ngushtuar hendekun me liderët e Premier League. “Ata janë duke bërë mirë dhe duke fituar shumë lojëra, tha Mata për Manchester City. Janë duke shënuar shumë gola, por mendoj se dhe ne nuk po bëjmë pak. Do të përpiqemi të tregojmë të dielën se mund të luajmë futboll të mirë dhe mund të fitojmë tri pikë.
“Është një lojë shumë e veçantë, të gjithë e dimë këtë, veçanërisht për shkak të pozitës që kemi të dyja palët në klasifikim. Ne luajmë kundër Manchester City në “Old Trafford” dhe është një nga ato ndeshje, që secili dëshiron ta luajë, një nga ato lojëra me të vërtetë të veçanta, që ka Premier League”, tha Mata.
Ndonëse ecuria e “qytetarëve” në këtë sezon, me 43 pikë të grumbulluara nga 45 e mundshme, ka bërë që njerëzit të thonë se ata nuk mund të kapen, Mata mendon se rivalët e Manchester United do të fillojnë të ngushtojnë distancën prej tetë pikësh. “Mbaj mend disa sezone më parë (në 2011-2012), kur Manchester United ishte përpara Manchester City me tetë pikë dhe më pas “qytetarët” fituan falë diferencës së golave. Është një ligë e çmendur dhe është shumë herët të mendojmë se çështë e titullit ka përfunduar”, tha Mata.
Mata ka folur edhe për Ibrahimoviç. “Zlatan Ibrahimoviç nuk është kurrë banal, brenda dhe jashtë fushës. Anekdotat mbi suedezin janë të shumta dhe tani është shtuar edhe një tjetër”, ka rrëfyer nga Juan Mata. Spanjolli, në një intervistë të dhënë për “Four Four Two”, ka treguar çfarë i ka thënë Zlatan në ditën e tij të parë tek United: “Sapo kishte ardhur dhe po sistemonte gjërat e tij. Nuk e kishim takuar, sepse ne ishim duke zhvilluar fazën parapërgatitore dhe ai ishte vetëm me përgjegjësin e uniformave”.
“Ai është një lojtar që fiton respektin e të tjerëve vetëm nga mënyra si ecën. Pa djaloshin e ri dhe i tha: “Shpresoj ta dish se ka ardhur Zoti. Djaloshi dridhej, nuk dinte ç’të bënte. Ibra shpërtheu në të qeshura. Gjithmonë e bën këtë”, u shpreh Mata.
Ndërkohë, Pep Guardiola bëhet trajneri i parë spanjoll, që rrumbullakos 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve. Ai në stolin e Manchester City iu bashkua Jose Mourinhos, Carlo Ançelotit, Arsene Wenger e Sir Alex Ferguson, si trajnerët që e arritën numrin me tri shifra në garën më të rëndësishme për klubet europiane. Trajneri katalanas ka fituar 61 ndeshje, ka barazuar 23 dhe ka humbur 15 në 99 ndeshjet e deritashme, të luajtura mes drejtimit të Barcelonës, Bayern Munich dhe Manchester City. Me ekipin e Blaugranëve, ai e ngriti titullin kampion europe dy herë, në vitin 2009 dhe 2011. Tani, ai ka siguruar vendin e parë në grup, me 15 pikë të grumbulluara në pesë ndeshjet e luajtura, me një bilanc prej 13 golash në favor dhe 3 kundër. Në ndeshjen e tyre kundër ukrainasve, “qytetarët” do të luajnë për të kompletuar një fazë të përsosur grupi, vetëm me fitore.