Ethet e garës presidenciale në SHBA, Sanders përkrahje Clinton

Senatori Bernie Sanders i ka ofruar përkrahje me plot pasion rivales së dikurshme partiake, Hillary Clinton duke folur në ditën e parë të Konventës Kombëtare të Partisë Demokrate. Ai ka thënë se, “Hillary Clinton duhet patjetër të bëhet Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara”. Sanders është munduar që të ruajë përkrahjen edhe të votuesve të tij për Clinton, e cila më 8 nëntor do të përballet me kandidatin e republikanëve, Donald Trump. “Hillary Clinton do të jetë një president i jashtëzakonshëm dhe jam krenar që e përkrah sonte atë”, iu ka thënë Sanders 5 mijë delegatëve të partisë në Filadelfia, ku liderët demokratë janë munduar të shfaqin unitet kundër Trumpit. Uniteti megjithatë është dukur i lëkundur gjatë natës kur nga pjesëmarrësit dëgjoheshin fishkëllima, që sipas të gjitha gjasave bëheshin nga përkrahësit e Sanders. Tensionet janë shfaqur menjëherë pasi konventa katër ditore është hapur zyrtarisht, e cila në fund të saj do e nominojë për herë të parë në histori të politikës amerikane një grua për president të SHBA-ve. Përmendja e emrit të Clinton është pritur me shumë duartrokitje nga përkrahësit e saj, derisa përkrahësit e Sanders kanë thirrur emrin e senatorit të Vermontit, “Bernie, Bernie”. “Ne të gjithë jemi demokratë dhe si të tillë duhet të sillemi”, ka thënë udhëheqësja e koventës, Marcia Fudge nga Ohio. 74-vjeçari Sanders, një rival i fuqishëm i Clinton gjatë fushatës brendapartiake për të arritur nominimin, ka arritur të sigurojë jo pak përkrahës besnikë, duke u zotuar kundër rolit të parave në politikë dhe duke e bërë sigurimin shëndetësor dhe arsimimin e lartë më të qasshëm. Zemërimi i përkrahësve të Sanders ka të bëjë me shpërndarjen e e-mail-eve të partisë nga faqja e internetit Wikileaks, ku tregohej se si zyrtarët e lartë të partisë që duhet të mbajnë qëndrim neutral gjatë fushatës partiake, e kanë favorizuar Clinton. Wikileaks ka publikuar mbi 19 mijë mesazhe elektronike më 22 korrik, duke e detyruar kështu udhëheqësen e Konventës Kombëtare të Demokratëve, Debbie Wasserman Schultz të ofrojë dorëheqjen ndërsa konventa i ka kërkuar falje Sandersit. Sanders në anën tjetër iu ka kërkuar përkrahësve që të mos e pengojnë konventën, duke mos përmendur fare skandalin me rrjedhjen e komunikimeve të brendshme partiake. “Këto zgjedhje kanë të bëjnë me atë se cili kandidat kupton problemet reale me të cilat përballet ky shtet dhe që kandidati ka ofruar zgjidhje reale, jo thjesht ide që nxisin frikën apo që ofendojnë të tjerët dhe thellojnë ndarjet”, iu ka thënë Sanders pjesëmarrësve. Policia në Filadelfia ndërkohë ka paraburgosur mbi 50 persona që tentonin t’i hiqnin barrikadat përballë sallës ku do të mbahej konventa, duke e shprehur zemërimin e tyre kështu rreth mënyrës se si partia e ka trajtuar Sanders.

Mishel Obama: Clinton, njeriu i duhur për presidente të SHBA-së
Në ditën e parë të konventës së demokratëve, Hilary Clinton është mbështetur edhe nga Zonja e Parë e shtetit, Mishel Obama, e cila deklaroi se zgjedhjet e nëntorit do të jenë mjaft të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve amerikanë. Obama: “Në nëntor kur të shkojmë për të votuar nuk do të bëhet fjalë për zgjedhur një demokrat apo një republikan. Jo, në këto zgjedhje, ne kemi fuqinë për të caktuar personin, i cili do t’i japë formë edukimit të fëmijëve tanë për katër ose tetë vitet e ardhshme dhe unë mendoj se ka vetëm një person, të cilit mund t’ia besoj ketë përgjegjësi. Mendoj se personi që ka kualifikimin e duhur për të qenë presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara është Hillary Clinton”.

Pretendimet për ndërhyrjet ruse
Përgjatë fushatës së brendshme partiake, Sanders dhe përkrahësit e tij janë ankuar se partia e favorizonte Clintonin, akuza këto që fituan substancë pas publikimit të mijëra komunikimeve të brendshme partiake nga Wikileaks. E-mail-et e publikuara tregojnë se si zyrtarë të partisë janë munduar të minojnë fushatën e Sanders duke nxitur pyetje për prejardhjen e tij hebreje dhe nëse ai është ateist? Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë më 25 korrik se është duke e hetuar “ndërhyrjen kibernetike” nga “hacker” në lidhje me rrjedhjen e e-mail-eve, që sipas fushatës së Clinton është kryer nga individë që kanë lidhje me shtetin rus. Fushata e Clinton ka thënë se rrjedhja mund ta ketë qëllim që ta ndihmojë Trumpin, i cili është zotuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Trump gjithashtu ka hedhur dyshim nëse do të përkrahte aleatët e NATO-s në Balltik nëse ato do të okupoheshin nga Rusia. Kampi i Trump i ka përqeshur akuzat që thonë se Rusia mundohet ta ndihmojë atë duke i vjedhur komunikimet e demokratëve. Trump, një biznesmen i pasur është përballur me kritika të ashpra nga demokratët dhe disa prej republikanëve për komente që janë konsideruar ksenofobike, seksiste dhe raciste. Trump, i cili asnjëherë nuk ka pasur post udhëheqës në administratën publike ka thënë se Sanders është viktimë e një sistemi manipulues që favorizonte Clinton. Më 25 korrik ai e akuzoi Sanders se i është nënshtruar Clintonit. “Bernie Sanders iu nënshtrua në tërësi Hillary Clintonit mashtruese”, ka shkruar Trump në profilin e tij në Twitter, pak para se Sanders të përfundonte fjalimin e tij në konventën e demokratëve. “E gjithë ajo punë, energji dhe para dhe të mos kesh asgjë për të treguar! Humbje kohe”, ka shtuar Trump.

Exit mobile version