Etike, kur vendin e ka mbytur droga dhe krimi i organizuar?!

Belind KELLIÇI

Ndërsa po përgatitesha për këtë diskutim të sotëm mbi hartimin e një projektligji për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në Parlament, projektligj të cilin e përkrah pa hezitim, por që e konsideroj një luks të tepërt për realitetin me të cilin përballet shoqëria jonë sot, përpara m’u shfaqën një sërë artikujsh mbi gjendjen alarmante të papunësisë mes të rinjve, krimit, drogës, kriminalizimit të qeverisjes, e mes tyre akuzat e panumërta të kryeministrit ndaj opozitës, medias, shoqërisë civile e gjithkujt që guxon të flasë për këto fenomene.
Ndala për një çast, sepse ajo që sot po vret ëndrrat dhe shpresat e të rinjve, po i shtyn çdo ditë drejt rrugëve të emigrimit, po largon trurin nga vendi ynë, është pikërisht kriminalizimi i qeverisjes në çdo hallkë të sajën.
Prej më shumë se 4 vitesh opozita, gazetarët investigativë, rrjetet mediatike prestigjioze ndërkombëtare dhe shoqëria civile, denoncojnë me forcë shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge, mbështetjen që drejtues të lartë të policisë, me urdher të ish-ministrit të Brendshëm, superministrit të “Rilindjes” dhe bekim të kryeministrit, i japin trafikantëve ndërkombëtarë të drogës. Kemi dëgjuar këto 4 vite se si në vendin tonë po ndërtohen tashmë pista të avionëve të drogës, të cilët për kryeministrin ishin thjesht “mushkonja”. Kemi mësuar se radarët në vendin tonë tashmë fiken për t’u krijuar rrugë të lirë skafeve të drogës. Kjo është një plagë e hapur që po shkatërron të sotmen dhe të ardhmen tonë, po e largon çdo ditë e më shumë rininë nga Shqipëria.
Të gjitha akuzat e opozitës, gazetarëve investigativë, të cilëve sot dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë për guximin dhe kurajon e treguar, shoqërisë civile dhe qytetarëve, për kriminalitetin, trafikun e drogës dhe mbështetjen politike që gëzon nga qeveria, tashmë janë faktuar.
Dua t’ju rikthej në vëmendjen tuaj Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të publikuar në fillim të këtij viti, i cili thotë se:
• Shqipëria është bazë për operacionet rajonale të organizatave të krimit të organizuar.
• Shqipëria prodhon dhe trafikon sasi të konsiderueshme marijuanë, kryesisht për tregun Europian.
• Shqipëria është vend tranziti për heroinën dhe kokainën afgane.
• Shqipëria shërben si një pikë kyçe për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën.
• Paratë e krimit pastrohen me lehtësi në Shqipëri.
• Shqipëria ka korrupsion të shfrenuar dhe institucione të dobëta.
• Shqipëria ka kontroll të dobët të kufijve dhe zbatim të dobët të ligjit në dogana, çfarë lehtëson trafiqet e paligjshme.
Ndërkohë në nivele alarmante është përmasa e përdorimit të kokainës. Shqipëria renditet e para me 2.5% e ndjekur nga SHBA me një prevalencë prej 2.3%.
Të gjitha sa më sipër nuk janë aspak “Hate speech”, nuk janë fantazi, por janë fakte të denoncuara prej kohësh dhe një realitet i hidhur që na bën me turp, më së pari ne, të rinjve të këtij vendi që vijojmë të pranojmë dhe jetojmë në këtë realitet.
Shqipëria përbën një rast të paprecedentë të futjes në Parlament dhe në nivelet më të larta të qeverisjes e të drejtimit të disa bashkive, persona me precedente kriminal, të dënuar për trafik droge, prostitucion, etj.
Dhe këtu nuk besoj se ka sot ndonjë shqiptar që nuk e di se ishte vendosmëria e opozitës, për të miratuar ligjin e dekriminalizimit, në mungesë të plotë vullneti nga ana e qeverisë, vullnet i cili mungon dhe sot kur të inkriminuarit vazhdojnë të jenë edhe në Parlament, edhe në drejtim të bashkive, edhe në qeverisje.
Sot teksa jemi mbledhur për të diskutuar për zhvillimin e demokracisë, shmangien e gjuhës së urrejtjes etj., ne s’kemi të garantuar themelin e saj, votën e lirë. Raporti i publikuar pak ditë më parë i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e qershorit, konfirmon se në këto zgjedhje vota e qytetarëve u kërcënua, u dhunua dhe fenomeni i shitblerjes ishte i shtrirë masivisht. Pra vullneti i qytetarëve të vendit tonë u deformua.
Ky është realiteti famëkeq që po jeton sot çdo shqiptar. Prandaj unë mendoj se prioritet absolut sot për qeverinë dhe parlamentin duhet të jetë lufta kundër krimit dhe drogës. Rrëzimi i narko-shtetit, pastrimi i Parlamentit, qeverisë, policisë, pushtetit vendor, nga të inkriminuarit dhe shkëputja e lidhjeve të krimit me politikën.
Prioritet i yni duhet të jetë garantimi i votës së lirë, zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për teë rinjtë dhe jo shpërdorimi i parave në mënyrë korruptive për tendera, koncesione e investime luksi.
Sot 30% e familjeve nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve, 39% e familjeve nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit, 43% e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen për fëmijët, ndërsa qeveria vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar plot 16 milionë dollarë vetëm për bileta avioni dhe orendi për zyrat.
Unë jam mëse i bindur se adresimi dhe ndalimi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes në Parlament, do të ishte një vlerë e shtuar në jetën e çdo qytetari. Por në mënyrë që t’ia japim këtë vlerë të shtuar qytetarëve tanë, më parë duhet t’i japim arsye që të qendrojnë në Shqipëri, në vend që të emigrojnë nëpër botë, siguri për të ardhmen e tyre në vend të ofertës rilindase të një Shqipërie kolumbiane, siguri në qeverisje në interes të qytetarëve në vend të marrjes peng të vendit nga kupolat mafioze të kushërinjve trafikantë, apo vëllezërve në kërkim.
Ndalimi i gjuhës së urrejtjes në Kuvend duhet të ndodhë dhe do të ndodhë ashtu dhe siç shumë shpejt, atij Kuvendi i cili duhet të përfaqësoje vullnetin e popullit tonë, dhe që sot është nëpërkëmbur nga lekët e krimit me mandate të vjedhura, duhet t’i jepet dhe do t’i jepet dinjiteti që i takon.

Fjala e kryetarit të FRPD-së, Belind Këlliçi në aktivitetin e organizuar nga Lëvizja “No Hate” dhe Universiteti “Luarasi” me temë; Jo urrejtjes në politikë

Exit mobile version