Atalanta vazhdon të tregojë se në fund të këtij sezoni pretendon të kapë një vend që të dërgon në kupat e Europës. Skuadra nga Bergamo ka mposhtur ditën e djeshme në shtëpi Sampdorian me rezultatin 1-0 falë një goli të kapitenit Gomez në minutën e 54-t me penallti. Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ishte për 90 minuta të plota në mbrojtje të portës së Atalantës duke ia arritur të mos pësojë gol. Mediat italiane e kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjen e tij duke i vënë notën 6.5.
Me këtë fitore skuadra e futbollistit shqiptar ka arritur të parakalojë në renditje Milanin duke u ngjitur në vendin e 6 me 38 pikë të grumbulluara në 21 ndeshje. Për t’u përmendur është fakti që kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje më pak.
Romës i ka mjaftuar një gol i Edin Xhekos në minutën e 55-të për të triumfuar në ndeshjes e javës së 21-të të Serisë A në shtëpi ndaj Kaljarit. Verdhekuqtë e drejtuar nga Luçiano Spaleti e dominuan totalisht ndeshjen dhe rastet e shumta për gol nuk munguan, por megjithatë fitorja 1-0 ishte e mjaftueshme për të shtuar tre pikë të tjera në llogari. Pas kësaj ndeshjeje, Roma mban vendin e dytë në renditje me 47 pikë të grumbulluara, 1 më pak se Juventusi i vendit të parë dhe 3 më shumë se Napoli i vendit të tretë. Duhet përmendur që bardhezinjtë e Alegrit kanë zhvilluar një ndeshje më pak.