Etrit Berisha, objektiv i Torinos në Serinë A

E ardhmja e Etrit Berishës pritet të jetë larg Lazios, por portieri i Kombëtares Shqiptare me shumë mundësi do të qëndrojë në Serinë A. Fakti që drejtuesit lacialë po konsiderojnë Federico Marcchetin si zgjedhje të parë, por e detyron 27-vjecarin kuqezi të kërkojë një tjetër destinacion gjatë merkatos së verës. Orët e fundit mediat italiane raportojnë për interesimin e Torinos për kartonin e portierit shqiptar, pasi drejtuesit “Granata” nuk kanë shumë besim te Padelli, që pritet të largohet nga kryqendra e Piemontit në përfundim të sezonit.
Berisha mbetet një nga alternativat e mundshme për të marrë vendin e Padellit, por në Torino pëlqehet edhe Skorupski. Portieri polak ka rënë në sy tek Empoli, ku është dhënë në formë huazimi nga Roma. Si Berisha ashtu edhe Skorupksi ofrojnë profilin e portierit që pëlqehet shumë nga stafi teknik i Torinos, që do të kërkojë rrugën më të thjeshtë për të zëvendësuar Padellin. Javët e ardhshme priten të tjera zhvillime përsa i përket të ardhmes së Berishës, i cili është pjesë e Lazios që nga shtatori i 2013-ës.

Exit mobile version