Etrit Berisha kushton shumë për Atalantën dhe mund të largohet prej berkamaskëve në verë. Sipas asaj që raporton faqja sportive italiane calciomercato, portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha, në fundin e sezonit mund të rikthehet tek Lazio. Drejtuesit e skuadrës së Atalantës edhe pse kishin një marrëveshje me homologët e tyre bardhekaltër për blerjen kartonit të 28-vjeçarit në fund të sezonit, kanë vendosur të mos e bëjnë një gjë të tillë.
Një vendim disi i çuditshëm ky i klubit bergamask, pasi performanca e Berishës përgjatë këtij sezoni tek Atalanta ka qenë mbresëlënëse, madje shpesh ai është vlerësuar maksimalisht edhe nga specialistët e futbollit të vendit fqinj. Shkak për mosrealizimin e këtij transferimi përfundimtar është kostoja e kartonit të Berishës, që vlerësohet në shumën 6.5 milionë euro. Në vend të gardianit kuqezi, në portën e Atalantës pritet të konfirmohet Pierluigi Golini, i cili momentalisht është në pronësi të Aston Villa, në Championship dhe aktualisht i huazuar te Atalanta.
Por paralelisht, portalet pranë klubit të Lacios, raportojnë se ka një akord mes klubeve për transferimin përfundimtar të portierit në Bergamo. Sipas tyre, kartoni i Berishës do të paguhet 5 milionë euro nga Atalanta dhe marrëveshja do të finalizohet pak ditë pas mbylljes së sezonit.
Për momentin, situata duket shumë e ngatërruar. Por drejtori sportiv i Atalantës, Xhiovani Sartori, deklaroi pak ditë më parë se gjithçka që kishte lidhje me fatin e portierit do të vendosej përfundimisht vetëm, pasi të mësohej rrugëtimi i Atalantës, nëse do të luante në Europë në sezonin e ardhshëm apo jo.