EULEX-i në Kosovë deri në qershor të vitit 2018

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX-it, edhe për dy vite tjera. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it ka marrë mbështetjen përmes miratimit të dy Projektligjeve përkatëse, të cili do t’i procedohet Kuvendit për miratim. Vendimi i qeverisë, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka pasuar letrën që presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi i ka dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, përmes së cilës ai ndër tjera e mirëpret vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Në këtë aspekt, edhe qeveria, ka thënë Mustafa e mbështet EULEX-in në vazhdimin e punës në Kosovë. “Me aprovimin e këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka thënë Mustafa.
EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Por, gjatë dy viteve të ardhshme, kryeministri Mustafa ka thënë se ky mision do të duhej që t’i barte edhe një pjesë të kompetencave ekzekutive te institucionet e Kosovës.
“Qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqëndrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim”, ka theksuar Mustafa. Nga puna praktike në Kosovë, ky mision kryesisht është marrë me hetimin dhe zgjidhjen e rasteve të cilësuara të krimit të nivelit të lartë që përfshijnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se me autoritetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që disa nga këto raste, megjithatë, t’u transferohen institucioneve vendore. “Jemi pajtuar së bashku me BE-në që EULEX-i të transferoj një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore të cilat konsiderohen të transferueshme dhe mund të trajtohen me sukses nga institucionet vendore”, ka thënë Kuçi. Vazhdimi i misionit të EULEX-it, për profesorin e të Drejtës Penale, Ismet Salihuishte më se i domosdoshëm.
Ai thotë se gjyqësori apo organet e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, nuk janë ende të gatshme të funksionojnë si të pavarura dhe të pandikuara nga politika. Profesori Salihu beson se ky mision do të ketë punë në Kosovë jo vetëm deri në qershor të vitit 2018, por deri në qershor të vitit 2020. “Në përgjithësi sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të garantoj autonominë e duhur. Akoma është i pranishëm ndikimi politik, e aq më keq ai i partive politike. Për këtë arsye edhe është më se i domosdoshëm dhe i dobishëm ende edhe në të ardhmen prania dhe ndihma e EULEX-it. Sidomos, kur është fjala për krijimin e organizuar, për ata persona që kanë kryer krime, por të cilët janë edhe në pozita shtetërore politike dhe hierarkike”, ka thënë profesori Salihu.

Artikulli paraprakRusia shokon Anglinë në shtesë
Artikulli tjetërKërcënimet ndaj gjyqtarit, KLD padit penalisht Tahirin