Kombëtarja e Shqipërisë humbi në ndeshjen e parë të Kampionitit Evropian, por dyert ende janë të hapura për vazhdimin e garave. Në ndeshjen e së mërkurës me Francën kuqezinjtë do ta kenë shumë të vështirë. Por bilanci i deritanishëm dëshmon se Shqipëria di t’i kundërvihet francezëve, pasi Shqipëria nuk ka humbur në dy ndeshjet e fundit. Kombëtarja shqiptare është nisur ndërkohë për në Marsielle, ku me francezët do të ketë sfidën e dytë në Euro 2016. Ndeshja zhvillohet në orën 21:00 – në “Stade Velodrome”, Marsielle. Në formacion nuk do të jetë kapiteni Lorik Cana, për shkak të përjashtimit në ndeshjen kundër Zvicrës. Në formacion priten edhe disa ndryshime të tjera taktike.
Lojtarët me origjinë shqiptare
Në dallim nga Kombëtarja shqiptare, në ekipin e Zvicrës nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Ndaj pritet që sërish në formacion të jenë pesë lojtarë me origjinë shqiptare: Granit Xhaka, Shaqiri, Xhemaili, Behrami dhe Mehmedi. Zvicra, e cila në radhët e veta ka të nominuar gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare – me një fitore kundër Rumanisë do të siguronte kualifikimin ndër 16 ekipet që vazhdojnë garat në këtë KE. Nëse llogariten së bashku – 23 lojtarë të Shqipërisë, gjashtë në radhët e Zvicrës, një në Gjermani (Shkodran Mustafi) dhe një arbëresh me origjinë në Itali (Antonio Candreva), rezulton se në këtë Kampionat ka 31 lojtarë me origjinë shqiptare.
Shaqiri dhe paraqitja e mundshme për Kosovën
Ndryshe nga vëllezërit Xhaka (babai i tyre Ragip Xhaka pohon se, Taulanti do t’i mbetet besnik Shqipërisë, ndërsa Graniti Zvicrës), ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e ka lënë të hapur mundësinë që një ditë të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Mediat zvicerane raportojnë se, Shaqiri nuk ka dhënë përgjigje definitive për të ardhmen e tij sa i përket kombëtareve. “Bluewin” dhe “20 min”, sjellin një intervistë ku Shaqiri, në pyetjen nëse ka marrë ndonjë qëndrim të qartë për mbetjen në Zvicër, përgjigjet me kundërpyetje: Si do të përgjigjeshit ju nëse trajneri i Kosovës ju thërret dhe ju thotë se ju jeni kapiteni i ardhshëm i Kosovës? Por Shaqiri shton se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë të tillë dhe se aktualisht është i fokusuar në tërësi tek Euro 2016, ku “do të japë gjithçka për ekipin e Zvicrës”, siç ka bërë gjithmonë.
Mustafi në qendër të vëmendjes
Mediat gjermane pohojnë se, mbrojtësi mesfushor (me origjinë shqiptare) Shkodran Mustafi, do të jetë titullar edhe në ndeshjen e dytë të përfaqësueses gjermane, kundër Polonisë. Ai u fut në ndeshjen kundër Ukrainës si zëvendësues i Mats Hummels, (i cili ndërkohë është i gatshëm për lojë), por me golin e shënuar dhe lojën e sigurt në mbrojtje, ai ka tërhequr vëmendjen e gjithë sportdashësve në Gjermani. Ishte ky goli i parë i Mustafit për Gjermaninë, ku ndërkohë ka 11 paraqitje. I mundur është edhe formacioni, ku Mustafi të luajë së bashku me Boateng dhe Hummels në mbrojtje, por trajneri Joachim Low, është i njohur për marrjen e vendimeve në momentin e fundit, në mënyrë që kundërshtari të mos mund të përgatisë kundërpërgjigjet e tij taktike. Joachim Low pas ndeshjes me Ukrainën e ka vlerësuar Mustafin për kontributin në lojë.