Euro 2016, Cana dhe Lenjani vlerësojnë Rumaninë

Nga Franca, ku praktikisht e kanë mbyllur sezonin me Nantes, me skuadrën që arriti objektivat në Ligue 1, Lorik Cana dhe Ermir Lenjani kanë nisur të mendojnë për finalet e Euro 2016. Në një intervistë për televizionin rumun, “Digi Sport”, dy kuqezinjtë u shprehën me besim se Shqipëria mund ta kalojë grupin në evenimentin në Francë.
“Natyrisht që kalimi përtej grupit është i mundur. Kjo edhe duke marrë parasysh formatin e aktivitetit, ku në fazën tjetër të Euro 2016 kualifikohen edhe katër ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë”, u shpreh Cana.
“Nuk shoh ndonjë arsye përse Shqipëria dhe Rumania të mos kualifikohen së bashku nga faza e grupeve. Do të kualifikohen skuadrat që vrapojnë dhe luftojnë më tepër”, tha Lenjani.
Shqipëria do të përballet me Rumaninë më 19 qershor në Lyon, në ndeshjen e fundit të Grupit A. Kapiteni Cana, që së fundmi vuan një dëmtim në muskujt e kofshës, vlerësoi potencialin e rivalëve, që përveçse një skuadër me traditë, aktualisht ka në skuadër lojtarë cilësorë dhe teknikë, që i mbyllën kualifikueset pa pësuar asnjë humbje.
“Te Rumania peshon shumë brezi i artë, me lojtarë si Hagi, Popesku e të tjerë. Kjo përfaqësuese nuk e ka të lehtë të përsëritë arritjen e tyre në vitin 1994. Megjithatë, brezi i tanishëm te Rumania bazohet te lojtarë mjaft cilësorë, që zotërojnë teknikë të mirë dhe kanë shumë eksperiencë. Ata kanë bërë punë të jashtëzakonshme në drejtim të mbrojtjes dhe mendoj se ata do të jenë një kundërshtar shumë i vështirë për të gjithë ekipet në Kampionatin Europian”, tha Cana.

Exit mobile version