Mes duartrokitjeve të trajnerëve më të mirë në Itali, Gianni De Biasi tërhoqi në Coverciano çmimin special “Pankina e Artë”. Një vlerësim për punën e bërë në krye të Kombëtares shqiptare, për kualifikimin historik në Euro 2016 dhe ngritjen e emrit të shkollës italiane në arenën ndërkombëtare. Pas çmimit të fituar me meritë, tekniku kuqezi foli në 360 gradë. Nga dedikimi special. “Këtë çmim të rëndësishëm ia dedikoj djemve. Është vërtetë një nder për mua”, tha ai.
Më tej, De Biasi foli për ambiciet në evenimentin më të rëndësishëm kontinental, ku Shqipëria do të jetë në Grupin A me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. “Në Europian luajmë pa presion. Nuk duhet të përmbushim ndonjë pritshmëri specifike dhe gjithçka që do të bëjmë do të jetë një plus. Gjithsesi, mendoj se do të provojmë shanset tona, ashtu si kemi bërë gjithmonë, edhe pse renditja tregon se jemi më mbrapa rivalëve. Mendoj se kalimi i grupit do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Përsa i takon Italisë, mendoj se mund të klasifikohet mes katër të parave në Europian”, u shpreh De Biazi.
Tekniku foli edhe për lojtarët specifikë. Nga Elseid Hysaj, që në këtë sezon po shkëlqen me Napolin. “Hysaj duhet të vazhdojë të stërvitet mirë dhe të paraqitet në Francë në formë optimale. Duhet të jetë i kujdesshëm, pasi Kampionati Europian është një vitrinë për t’u afirmuar në nivel ndërkombëtar. Gëzon cilësi teknike e fizike dhe ka një personalitet të madh. E promovova që 18 vjeç, ndërsa te Napoli vazhdon rritjen si lojtar, edhe sepse luan pa presion”, tha trajneri i kombëtares tonë.
Në fund edhe një këshillë për talentin kuqezi të Interit, Rey Manaj. “Mund të parashikohet që do të largohet nga Interi. Nëse do të qëndrojë, duhet të bëjë pjesë në projektin e klubit, pa dashur të hyj në programet e zikaltërve. Është një lojtar i ri, që duhet të luajë çdo javë. Ky është një aspekt thelbësor për rritjen e Manaj-t, të cilit natyra i ka dhuruar gjithçka: e njeh portën dhe është i fortë fizikisht. Në debutim me Kombëtaren shënoi pas 10 sekondave, duke vendosur rekord. E ardhmja është e gjitha për të”, përfundoi De Biazi.