“Euro 2016”, De Biasi shpall listën, mungon Salihi

Mungesa e madhe është Hamdi Salihi, nuk e humbet vendin Migjen Basha, zbulimi është Milot Rashica, konfirmohen Rrahmani e Veseli, ndërkohë që nuk ia del të jetë me Kombëtaren e Parë Rey Manaj. Janë këto të rejat kryesore të Gianni De Biasit në listën paraprake me 27 futbollistët e përzgjedhur për misionin Francë 2016. Trajneri i Kombëtares do t’i ketë në dispozicion të përzgjedhurit e tij në fazën përgatitore për Euro 2016 që do të nisë në Austri në 23 maj, ku ekipi do të qëndrojë deri në datën 31 maj, në ditën e fundit të muajit, lista prej 27 emrash do të reduktohet në 23, me De Biasin që do t’i duhet të lërë jashtë 4 prej futbollistëve për të përpiluar listën përfundimtare prej 23 emrash që do të shkojnë në Francë.
Padyshim mungesa e madhe e listës paraprake është ajo e Hamdi Salihit. 27 golat e shënuar këtë sezon në Superiore ku u shpall kampion dhe kryegolashënues me Skënderbeun, si dhe kontributi shumëvjeçar në Kombëtare nuk i kanë mjaftuar bomberit shkodran në sytë e De Biasit, ndërkohë që afrimi i madh është Milot Rashica, zbulimi i këtoj edicioni në Eredivisien holandeze. Për sa i përket listës nuk ka asnjë ndryshim për sa i përket portierëve me Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin që do të jenë alternativat mes shtyllave.
Për sa i përket mbrojtjes që zë dhe një vend të konsiderueshëm në listë me 9 lojtarë të përzgjedhur pjesë e saj janë Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Amir Rrahmani, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli dhe Frederik Veseli.
Pjesën e Luanit në listë e zë mesfusha me plot 10 futbollistë, të cilët janë Ledian Memushaj, Ergys Kace, Andi Lila, Migjen Basha, Odise Roshi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Herolind Shala, Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi.
Në sulm De Biasi do të ketë me vete në Austri 5 alternativa, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi dhe Milot Rashica. Janë këta futbollistët që De Biasi do të ketë me vete në Austri ku do të zhvillojë në 29 maj dhe testin miqësor me Katarin, në 31 maj 4 prej tyre do t’iu duhet të shkëputen nga grupi përfundimtar prej 23 emrash që do të marrë pjesë në Europian, ndërsa në 3 qershor, Shqipëria do të zhvillojë dhe testin e fundit përgatitor para Europianit, në Bergamo të Italisë kundër Ukrainës.

Artikulli paraprakDe Biasi: Europiani, rast unik
Artikulli tjetërNeymar, 200 milionë!