Imagjinoni… Paolo Maldini, Franz Beckenbauer, Zinédine Zidane dhe Marco van Basten në një skuadër. Përkrah tyre edhe emra të mëdhenj të së tashmes si Iniesta, Pirlo apo Cristiano Ronaldo. Praktikisht një skuadër ëndrrash. Ky është formacioni më i mirë në historinë e Kampionatit Europian, i përzgjedhur pas sondazhit të UEFA-s, në të cilin votuan 3,5 milionë persona.
Top 11 i të gjitha kohërave u zbulua në Bashkinë e Parisit, me fytyrat e lojtarëve të piktuara si grafite. Në portë i përzgjedhuri ishte portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, ndërsa përpara tij rreshtohet mbrojtja me katër lojtarë. Mes tyre ndodhet italiani tjetër, Paolo Maldini, lojtari i dytë më i votuari në sondazh me 78 për qind në krahun e majtë, legjenda gjermane Franz Beckenbauer dhe spanjolli Carles Puyol, ndërsa në krahun e majtë u pozicionua kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm.
Në mesfushë pozicionohen spanjolli Andres Iniesta, italiani Andrea Pirlo dhe Zinedine Zidane, me trajnerin aktual të Realit të Madridit që ishte më i votuari nga tifozët, me 83 për qind. Reparti ofensiv përbëhet nga një tjetër treshe ëndrrash, nisur nga francezi Thierry Henry, te ylli portugez Cristiano Ronaldo dhe së fundmi nga legjenda holandeze, Marco Van Basten.
Kriteri në përzgjedhjen e yjeve ishte që lojtarët të kishin lënë shenjë në finalet e evenimentit, duke luajtur minimalisht në gjysmëfinale, të kenë qenë pjesë në skuadrën më të mirë të një edicioni të Europianit, të ishin shpallur golashënues ose për një gjest teknik që kujtohet në vite, si penalltia “Panenka” më 1976 apo goli fluturimthi i Van Basten në vitin 1988. Në ekipin ideal të Kampionatit Europian, Italia është skuadra më e përfaqësuar me tre lojtarë, e ndjekur nga Spanja, Gjermania dhe Franca me nga dy.