Euro në nivelin më të ulët historik

Leku pësoi një revansh të ri në tregun e këmbimit valutor dje, duke e çuar euron në nivelin më të ulët të shtatë viteve në vetëm 135.81 sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Kjo është vlera më e ulët e këmbimit të lekut me euron që nga gushti i viti 2010.
Ekspertë të këmbimeve valutore pohuan se vlera e ulët e euros lidhet me pagesën e sigurimeve shoqërore. Data 20 është afati në të cilin paguhen sigurimet shoqërore, por që rastisi pushim dhe i gjithë efekti në kursin e këmbimit u akumulua dje. Duke qenë se likuiditetet në lekë nuk kanë qenë të mjaftueshme bizneset po konvertojnë llogaritë në valutë me lekë për të kryer pagesat, shpjeguan ekspertët e agjencive të këmbimit.
Gjithashtu dje ishte afati i fundit i deklarimit dhe derdhja e tatimit të mbajtur në burim, për muajin paraardhës. Si pasojë e këtyre zhvillimeve euro shënoi rënie me 0.14 pikë përqindje dhe dollari gjithashtu ra me 0.31 pikë përqindje në këmbim me lekun.
Këtë vit, në treg është bërë aktiv dhe gazsjellësi TAP, i cili po ndikon në ofertën në valutë. Përveç kësaj, muajt tetor dhe nëntor janë tradicionalisht të vakët për shitjet e bizneseve, që të ndodhur përballë mungesës së likuiditetit detyrohen të konvertojnë valutën për të shlyer detyrimet ndaj shtetit. Në dhjetor, fillon e gjallërohet aktiviteti.
Së dyti, fitorja e Donald Trump si president i SHBA-së në Amerikë ka ndikuar në forcimin e dollarit deri në ditën e djeshme, ku monedha e gjelbër ra teksa u zbeh optimizmi për efektin Trump në tregti. Kjo rritje e dollarit në tregun shqiptar stimuloi shitjen, duke sjellë një prurje të tepërt valutash, sipas aktorëve të tregut.

Exit mobile version