Për herë të parë që nga viti 2010, euro ka zbritur nën kuotën e këmbimit me 136 lekë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se monedha e përbashkët europiane shënoi një tjetër rënie të ndjeshme këtë të enjte duke zbritur në kuotën 135.7 lekë. Ky është raporti më i ulët i euros ndaj lekut që nga gushti i vitit 2010, kur një euro është konvertuar deri me 135.5 lekë. Agjencitë e këmbimit valutor thonë se veç zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dobësimi i euros është i lidhur edhe me flukset hyrëse të valutës gjatë sezonit turistik. Veçanërisht gjatë javëve të fundit, që përkojnë edhe me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit është vënë re një shtim i flukseve të turistëve, kryesisht nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët sjellin më shumë valutë në vend. Paralelisht edhe vetë euro nuk është duke përjetuar një moment të mirë. Sulmet terroriste në Francë, pasiguritë ekonomike të injektuara nga Brexit, duket se kanë ulur besimin e investitorëve tek monedha europiane duke çuar në një dobësim të saj, ndaj monedhave të tjera kryesore të globit. Zhvlerësimi i euros është një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë kredi në këtë monedhë, pasi ai ul pagesën që ata duhet të shlyejnë. Paralelisht rënia e kësaj monedhe i bën më të lira importet që Shqipëria merr nga jashtë. Por nga ana tjetër, dobësimi i euros ka edhe një pasojë negative, pasi ai godet më tej eksportet shqiptare duke i bërë ato më të shtrenjta në tregjet e huaja.
Kryesore
Continue to the categoryDurrësi dhe drejtësia: një reflektim mbi atë që humbet dhe atë...
Nga Teuta Kalakula*
Pas një beteje të gjatë për mbrojtjen e vlerave të qytetit tonë mijëvjeçar – një përballje me ish-kryetarin z. Dako, gjykatat dhe...