Monedha e përbashkët vazhdon të shënojë rekorde të ulëta. Dje 1 euro këmbehej me 134.4 lekë në vend, ndonëse euro ka shënuar rritje në bursa. Rënia e ditës së djeshme, me -0.19, ka qenë më e vogël se e një dite më parë, që përkoi edhe me afatin e fundit të pagimit të sigurimeve.
Sipas aktorëve të tregut zhvlerësimi i euros është i pritshëm në këtë periudhë, pasi ardhja e emigrantëve shoqërohet dhe me një ofertë të shtuar për monedhën e përbashkët në treg. Sipas tyre rënia do të vazhdojë deri nga datat 25-26 dhjetor.
Në bursat europiane, monedha e përbashkët ka shënuar rritje ndaj dollarit dhe paundit, pas rënies së djeshme si pasojë e reflektimit të pasigurisë në treg nga sulmet terroriste. Për vitin 2016 dollari amerikan është forcuar me 4.5% përkundrejt euros, si dhe monedhave të tjera të forta.
Monedha euro ka pasur një vit të dobët, kryesisht si rezultat i ngjarjeve politike dhe i bankave problematike italiane. Në bursa, euroja ka shënuar një rritje me 0.2% ndaj dollarit, duke u këmbyer me 1.04$, pasi arriti në nivelin më të ulët (1EUR=1.03$) që nuk ishte parë që nga viti 2003 javën e shkuar.
Edhe paundi vazhdon të shënojë rënie ndaj monedhave të tjera si pasojë e presionit të shtuar për shkak të negociatave të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Pse kjo rënie e euros?
Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me 134.6 lekë, një tjetër rekord minimal i 7 viteve të fundit. Rënia e ditës së djeshme ka qenë më e fortë se ajo e së hënës, me -0.34 lekë.
Një nënçmim i euros ishte i pritshëm edhe gjatë ditës së djeshme, pasi data 20 ishte dita e fundit e pagimit të sigurimeve dhe bizneset nxitojnë të këmbejnë euron në lekë. Muajt e fundit, data 20 ka shënuar përgjithësisht vlerën më të ulët të muajit në raportet e këmbimit të euros me lekun.
Ardhja e emigrantëve dhe oferta e lartë për euro në treg janë arsye të tjera të nënçmimit të monedhës së përbashkët.
Gjatë këtij muaji, euro është rritur vetëm një ditë lehtë në raport me lekun, ndërsa ditët e tjera ka shënuar vetëm zbritje. Në fillim të këtij muaji, euro këmbehej me gati 136 lekë.
Dollari ka vijuar rritjen në tregun vendas gjatë ditës së djeshme, duke arritur në 129.55 lekë, 0.34 lekë më shumë se një ditë më parë.
Në bursat ndërkombëtare, dollari është rritur gjatë ditës së djeshme, teksa sulmet në Berlin dhe Turqi ndikuan negativisht në ecurinë e euros. Dollari iu afrua sërish nivelit më të lartë në 14 vjet, teksa një euro u këmbye me 103.4 USD.