Kandidati i “Koalicionit Euroatlantik”, Endri Hasa tha se kanë depozituar kërkesën në KQZ drejt zgjedhjeve të 11 majit. Në një lidhje në Edicionin Qendror të Lajmeve në Televizionin Kombëtar, Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Hasa u shpreh se “Koalicioni Euroatlantik” është në mbështetje të drejtësisë, në mbështetje të SPAK.
Sa i përket mundësive për koalicion, Hasa thekson se janë pro partive që i bashkohen konceptit për listë të hapur, për ata që mund të sjellin vlera, të ofrojmë kandidatët më të mire si dhe me ata duan t’i japin fund një kënete dhe një moçali politik 34-vjeçar.
Intervista e plotë:
Hasa: Sot kemi paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit në emër të Koalicionit Euroatlantik. E kemi depozituar kërkesën në KQZ dhe është një premtim i mbajtur për të çuar alternativën e demokratëve euroatlantikë drejt zgjedhjeve të 11 majit. Kemi qenë partia e parë që kemi prezantuar 55 kandidatë dhe do të vijojmë më vonë me të tjerët. Ne kemi qenë dhe kemi kërkuar me kohë lista të hapura. Ne do të garojmë me lista të hapura. Ne besojmë te forca e individit. Po ecim përpara drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Cilat janë mundësitë për koalicion? Ku e shihni më shumë veten?
Hasa: Ne jemi në mbështetje të drejtësisë, në mbështetje të SPAK. Jemi për ata që i bashkohen konceptit tonë për një listë të hapur. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që mund të sjellin vlera, përtej parimeve, dhe të ofrojmë kandidatët më të mirë. Ne përfshijmë disa kandidatë në listë që më parë kanë dalë nga partia aleate dhe janë pjesë e Koalicionit Euroatlantik. Me parti që përfshijnë këto vlera dhe që duan t’i japin fund një kënete dhe një moçali politik 34-vjeçar.
Çfarë prisni ju me shifrat? Si mendoni se do të dilni më 11 maj?
Hasa: Ne mendojmë se do të dalim ashtu si do të na vlerësojnë qytetarët shqiptarë. Ne u ofrojmë shqiptarëve të diasporës kandidatë nga diaspora, jo vetëm teori. Kemi dy kandidatë dhe do të prezantojmë të tjerët. Nuk bëjmë show siç bëjnë disa të tjerë. Ne do të marrim mandatet që do të na besojnë shqiptarët për të sjellë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri euroatlantike.