Një nga politikanët më me influencë në BE, i cili është sot eurodeputet ka denoncuar dje përfshirjen e organizatave të krimit në politikën e qeverisë si një rrezik për stabilitetin e vendit dhe të rajonit. Eurodeputeti Louis Michel është shprehur për rrezikun që i vjen procesit zgjedhor në Shqipëri nga krimi dhe droga.
“Disa fenomene shumë shqetësuese si prodhimi dhe trafikimi i drogës janë padyshim me një rëndësi të madhe në këtë proces.
Këto fenomene negative janë duke shkaktuar probleme serioze në funksionimin e shtetit ligjor e në veçanti rritja e rolit të organizatave kriminale në jetën politike të vendit, të cilat gjithashtu mund të ndikojnë në sigurinë e rajonit përmes rritjes së korrupsionit dhe terrorizmit”, shprehet Michel.
Kryetari i PD, Basha ka marrë një letër në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme nga eurodeputeti, Louis Michel, i cili është një ndër politikanët më me influencë në BE, si ish-ministër i Jashtëm dhe zv/kryeministër i Belgjikës. Louis Michel është babai i kryeministrit aktual belg, Charles Michel. Në letrën e tij, eurodeputeti shprehet se prodhimi, trafikimi i drogës, si dhe rritja e rolit të krimit të organizuar në jetën politike është shqetësim i madh nisur nga ky vit zgjedhor në Shqipëri.
Letra e plotë e eurodeputetit
Në dhjetor të vitit 2012 Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidati nga BE. Fatkeqësisht, deri tani nuk ka pasur një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Vonesa dhe ngadalësimi i implementimit të reformave strukturore si ajo administrative dhe në gjyqësor kanë qenë faktorët kyçë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Por disa fenomene shumë shqetësuese si prodhimi dhe trafikimi i drogës janë padyshim me një rëndësi të madhe në këtë proces.
Këto fenomene negative janë duke shkaktuar probleme serioze në funksionimin e shtetit ligjor e në veçanti rritja e rolit të organizatave kriminale në jetën politike të vendit, të cilat gjithashtu mund të ndikojnë në sigurinë e rajonit përmes rritjes së korrupsionit dhe terrorizmit.
Kjo situatë është veçanërisht shqetësuese, pasi ky vit është zgjedhor në Shqipëri.
Ne besojmë se vendi juaj do të marrë seriozisht në konsideratë rekomandimet e OSBE-ODIHR, si dhe kriteret e Kopenhagenit në mënyrë që këto zgjedhje të jenë vërtet demokratike dhe të pranuara nga partitë politike, nga komuniteti ndërkombëtar në mënyrë që të mos kemi eksperiencën me thyerjen e standardeve zgjedhore që u raportuan në zgjedhjet e kaluara.
Me anë të kësaj mundësie japim mbështetje të plotë për qytetarët shqiptarë në aspiratën dhe në të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Populli shqiptar duhet të dijë se do të ketë gjithnjë mbështetjen e Bashkimit Europian në luftën dhe angazhimin e tyre kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe zgjedhje e lira dhe të ndershme.
Juaji sinqerisht
Louis Michel