Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein do të vizitojë sërish Shqipërinë javën e ardhshme për të nxitur finalizimin e Reformës në Drejtësi pas aprovimit në parim të draftit të kësaj reforme nga forcat politike. Për Fleckenstein, nëse reforma nuk aprovohet para pushimeve verore, Shqipëria rrezikon që të presë gjatë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
– Muajin e shkuar, përveçse me politikanë shqiptarë, ju u takuat edhe me të rinj shqiptarë gjatë vizitës në Shqipëri. Qëllimi juaj kryesor është nxitja për arritjen e Reformës në Drejtësi, për të cilën do të shkoni sërish në Tiranë. A janë pjekur tërësisht rrethanat për finalizimin e Reformës në Drejtësi pas hapit që u hodh së fundmi?
Ka një mbështetje shumë të madhe nga të rinjtë për Reformën në Drejtësi, por edhe nga personat e moshuar në Shqipëri. Ata e kuptojnë gjithnjë e më shumë që kjo reformë është baza e ndryshimeve për të cilat ata kanë nevojë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pabarazitë në vend. Nëse nuk ndryshohet sistemi dhe gjërat vazhdojnë të funksionojnë në bazë të sistemit të vjetër, atëherë është shumë e vështirë që të arrihen qëllimet e tjera që përmenda. Kjo reformë ka një mbështetje shumë të madhe dhe politikanët shqiptarë pas hapit që u hodh duhet të tregojnë, se dinë që të shfrytëzojnë momentin për finalizimin e reformës. Dhe nëse ky moment nuk shfrytëzohet, atëherë do të ketë një pauzë të madhe para hapjes së negociatave të anëtarësimit.
– Gjermania ka vazhdimisht një impakt të madh te politika shqiptare. Duke qenë politikan gjerman dhe më aktivi në këtë periudhë për Shqipërinë, a mendoni që do ia arrini qëllimit tuaj për finalizimin e Reformës në Drejtësi para sezonit veror?
Shpresoj vërtet. Sigurisht që kjo që do të them nuk është politika zyrtare e Bashkimit Europian. Por ne e dimë, që pas sezonit veror do të vijojnë një sërë procesesh zgjedhore në Bashkimin Europian. Do të ketë zgjedhje në Francë, më pas në Gjermani dhe siç e dimë edhe në Shqipëri. Pra, nëse Reforma në Drejtësi nuk finalizohet para pushimeve verore, atëherë do të kemi humbur vërtet një shans të mirë.