Në Shqipëri, një nga shtetet e Ballkanit që është duke pritur t’i bashkohet Bashkimit Evropian, por Liljana Luani ka një mision. Mësuesja 56-vjeçare udhëton në kodrat veriore ku shumica e njerëzve, madje edhe të policisë kanë frikë të shkelin.
Ajo shkon atje për të gjetur fëmijët e fshehur, një brez i ngecur në traditën shekullore të gjakmarrjes mes familjeve fqinje.
Këto vrasje të konsideruara vrasje nderi u zhdukën në masë të madhe që gjatë 45 viteve të sundimi komunist të vendit, por u ringjallën në demokraci në disa zona të largëta, ku sundimi i ligjit është i dobët dhe armët e paligjshme janë me bollëk.
Mësuesja shkoi në një shtëpi ku një nënë 40-vjeçare jeton me tre djemtë e saj adoleshentë. Bashkëshorti i gruas është në burg dhe ata jetojnë të fshehur në shtëpi, për shkak se djemtë mund të vriten për gjakmarrje, nëse tentojnë të dalin jashtë.
Mësuese Liljana shkon atje për të mësuar të voglin, me shpresën se do ta ndihmojë për ta shpëtuar nga frika dhe dhuna.
“Kjo është ajo që më shtyn mua të shkoj derë më derë për të vizituar fëmijët që kanë problem me gjakmarrjen. Unë jetoj me vuajtjet e tyre, me dhembjet e tyre, me dhembjet e familjeve të tyre dhe tani jam e përfshirë shumë emocionalisht”, thotë Liljana.
Identitetet e fëmijëve nuk mund të shfaqen për shkak të frikës se do të gjenden të vrarë. Sipas një kodi sjelljeje që daton në shekullin e 15, i njohur si Kanuni, vetëm burrat dhe djemtë mund të jenë në shënjestër ose thënë ndryshe për t’u hakmarrë për to apo për të afërmit e tyre.
Kjo mund të ndodhë kudo, po jo brenda shtëpisë së familjes.
Liljana kujton se si një nga nxënësit e saj u vra në një pritë në rrugën e tij për të shkuar në shkollë.
“Kanë kaluar dy vjet që kur ai u vra, ishte një adoleshent, unë kurrë nuk do ta harroj atë fëmijë”, thotë ajo duke shtuar, “Unë ende e dëgjoj zërin e tij dhe qeshjen e tij në korridoret e shkollës, kur unë i prekja flokët për t’ja rregulluar, kurrë nuk do ta harroj. Kjo fatkeqësi nuk e kurseu atë, gjakmarrja i mori jetën”.
Një debat aksidental apo një mosmarrëveshje për tokën mund të jetë e mjaftueshme për të filluar një cikël për vrasje, e cila përfshin gjithë djemtë dhe burrat e fisit. Ka pasur raste kur fise të tëra janë shfarosur. Por Liljana shpreson të ndryshojnë këtë mentalitet, edhe pse është shumë e vështirë për vetë faktin se ka ekzistuar dhe ekziston prej vitesh.
“Mendoj se për këtë brez arsimi i fortë është një armë shumë e fortë për të ndaluar fenomenin e gjakmarrjes”, thotë Liljana Luani.