Europa e kërcënuar

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe udhëheqës të 27 vendeve të tjera anëtare të NATO-s janë mbledhur në Varshavë, për të diskutuar mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe kërcënimet në rritje të Rusisë ndaj anëtarëve lindorë të Aleancës.
Presidenti Obama tha se, ai pret një shkëputje pa probleme të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Samiti i tanishëm po cilësohet si më i rëndësishmi i NATO-s që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Presidenti Obama i filloi takimet e rëndësishme dyditore në Varshavë me çështjen Brexit, si tema numër një në axhendën e djeshme.
Një çështje tjetër për diskutim ishte se çfarë mund të nënkuptonte për NATO-n largimi i vendeve të tjera anëtare nga Bashkimi Evropian. Pas diskutimeve që pati dje me udhëheqësit e BE-së, Presidenti Obama tha se ai është absolutisht i sigurt se Britania dhe BE-ja do të punojnë për një tranzicion të qetë.
“Bazuar në diskutimet e mia të fundit me Kryeministrin Cameron, Kancelaren Merkel dhe sot këtu, jam absolutisht i bindur se Britania dhe Bashkimi Evropian do të punojnë së bashku në mënyrë pragmatike dhe bashkëpunuese për të garantuar një kalim të rregullt dhe të qetë”, tha Presidenti Obama.
Ai tha se votimi britanik për largimin nga BE-ja “ngre pikëpyetje serioze” për të ardhmen e integrimit brenda kontinentit evropian, por shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një mbrojtës i patundur i integrimit evropian.
Pasi të marrë pjesë bashkë me krerët e vendeve të tjera të NATO-s në Samitin dyditor të Varshavës, zoti Obama do të niset për në Spanjë, vizita e tij e parë si president në këtë vend.
Ai u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se ata diskutuan mbi sugjerimet e Presidentit Obama për mënyrën se si mund të procedohet në negociatat e shkëputjes së Britanisë.
Diskutimet për temën Brexit mund të zënë një pjesë të mirë të takimit, por zoti Obama përmendi edhe sulmet e fundit terroriste të Shtetit Islamik dhe agresionin rus në Ukrainë, si kërcënime të mëdha për të ardhmen e Evropës. Kërcënimet e Rusisë ndaj anëtarëve lindorë të NATO-s janë rritur dhe zyrtarët thonë se politikat e NATO-s – për herë të parë në një çerek shekulli janë zhvendosur nga siguria tek parandalimi.

Artikulli paraprakTensione në seancën e Kongresit mes kreut të FBI e republikanëve
Artikulli tjetërNATO shton 40 mijë trupa drejt Europës Lindore, gati për luftë