Të shtunën, Europa e futbollit mban frymën për një tjetër fundjavë të ngjeshur futbollistike me 4 finale që i vendosin kapakun një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. 4 kupa në 4 vende të ndryshme, që të gjitha bashkohen në paketën Supersport, që do të transmetojë live dhe ekskluzivisht epilogun e betejave përmbyllëse. Në Itali, Milani dhe Juventusi do të luajnë në stadiumin “Olimpico” të Romës finalen e Kupës që mund të shpëtojë sezonin e kuqezinjve, por në krahun tjetër mund të konfirmojë Juventusin dominues total të futbollit në Gadishullin Apenin. Alegri kërkon të hyjë në histori, duke u bërë i pari trajner që fiton për dy sezone rresht Kampionatin dhe Kupën, ndërsa Milani që zhvilloi një tjetër sezon të dobët, synon të hyjë në Europë nga dera e pasme e futbollit italian. Në kampin torinez, mungesat e vetme janë ato të Leonardo Bonuccit, i pezulluar për shkak kartonësh dhe mesfushorit Sami Khedira, ndërsa në krahun tjetër, Brocchi me shumë mundësi do të luajë pa Antonellin, Abaten dhe Niang. Nga Italia në Gjermani, aty ku luhet një tjetër klasike.
Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund përplasen në 90 minutëshin e fundit të Pep Guardiolës në stolin bavarez. Pas suksesit në kampionat, Bayerni i Mynihut synon edhe trofeun e Kupës për të kurorëzuar me sukses ecurinë fantastike në Gjermani, ndërsa Borussia do të tentojë të fitojë trofeun e parë në erën Tuchel. Ndoshta kjo është finalja më e denjë për futbollin gjerman, pasi vendos përballë dy ekipet më të mira të Bundesligës, ndërsa për Hummels është ndeshja e fundit me fanellën e Dortmundit, pasi vetëm pak orë më vonë, ai do të zyrtarizohet pikërisht në kampin kundërshtar për ta vazhduar karrierën në “Allianz Arena”. Është pikërisht Borussia që ka eliminuar Bayernin në dy sezonet e fundit të Kupës, por në të dyja rastet nuk ka arritur të triumfojë në Berlin, aty ku do të luhet edhe përballja kundër Bayernit.
Në Angli, FA Cup është shansi i fundit për Van Gaal, pasi Manchesteri United sfidon Crystal Palace në garën për trofeun që mund të shpëtojë pankinën e trajnerit holandez pas dështimit në kampionat. Plot 12 vjet ka Manchester që nuk triumfon në këtë kompeticion, ndërsa ekipi londinez nuk favorizohet nga statistikat, pasi ka humbur në 15 nga 20 takimet e fundit ndaj “Red Devils”. Në rast suksesi, Manchester United do të barazonte në krye Arsenalin me 11 FA Cup. Në Francë, Kupa është stacioni i fundit për Zlatan Ibrahimoviç, i cili do të luajë ndeshjen përmbyllëse të aventurës pariziene kundër Marseille. “Stade de France” hap dyert për duelin final, ku skuadra e Blanc është në garë për trofeun e tretë sezonal që ka mundësinë për të barazuar pikërisht marsejezët me 10 Kupa të Francës.