Europa përgatitet për recesionin e ri?

Jean Pisani-Ferry

Nëse nuk e kupton se çfarë po ndodh në ekonominë e eurozonës aktualisht, atëherë qetësohu, nuk je i vetmi. Një ditë na thonë se rritja tashmë i përket të shkuarës; ditën tjetër na thonë se rimëkëmbja është në rrugën e duhur; dhe më pas na thonë se Banka Qendrore Europiane po mendon t’i dhurojë çdo qytetari një çek me synimin për të rritur prodhimin dhe rigjallëruar inflacionin. Rrallë herë panorama ekonomike ka qenë kaq konfuze sa është sot.
Të fillojmë me rritjen ekonomike afatmesme. Që kur kriza financiare botërore shpërtheu në vitin 2008, produktiviteti është rritur me hap breshke. Çuditshëm, fuqia vetëllogaritëse magjike e smartfonëve, për çudi nuk duket se po mjafton për të kompensuar ngadalësimet në përmirësimin e eficencës në manifakturë dhe shërbimet standarde. Për gati një dekadë, rritja vjetore e produktivitetit në ekonomitë e përparuara ka qenë pranë 1 përqindëshit në vit në krahasim me 2 për qind që ka qenë në periudhën para krizës.
Kjo mund të jetë një situatë e përkohëshme ose një iluzion statistikor. Por për shkak se nuk ka të dhëna se kjo mund të përfundojë shpejt, politikëbërësit e kanë ulur pritshmërinë për rritje ekonomike. Që nga viti 2010, Zyra e Buxhetit në Kongresin e SHBA-ve e ka ulur parashikimin e vet për rritjen e produktivitetit në dekadën deri në vitin 2020, nga 25 për qind që qe më parë në 16 për qind. Deri tani, Zyra për Buxhet të Përgjegjshëm në Mbretërinë e Bashkuar ka reduktuar parashikimin për përmirësimin e eficencës në një dekadë nga 22 në 14 për qind. Të gjithë po përshtaten me kohë më të këqija.
Mënyra më e mirë për të luftuar këtë ngadalësim është të investosh në arsim, të promovosh novacionin dhe rrjedhimisht, të përmirësosh eficencën. Në Europë në veçanti, një gamë e gjerë reformash mund të kontribuojë në ngushtimin e hendekut në eficencë në krahasim me SHBA-në. Banka Qendrore Europiane mund të këshillojë apo incentivojë, por qeveritë e saj janë ato që duhet të veprojnë.
Të kthehemi tani te rritja aktuale. Më 2015, prodhimi i eurozonës qe fare pak më i lartë se sa ai i vitit 2008, një performancë shumë e keqe për të cilën rritja e ngadaltë e eficencës nuk mund të konsiderohet si fajtori i vetëm. Pavarësisht përtacisë së konsiderueshme në ekonomi, rritja e vitit 2015 qe zhgënjyese në nivelin 1.5 për qind he BQE pret rritje prej vetëm 1.4 për qind për këtë vit. Deri tani, kjo është më mirë se sa kontraktimi që ndodhi nga vitet 2011 deri më 2013, por fakti është që dikush ka të drejtë të presë një rritje shumë më të fuqishme në kushtet, kur kursi i këmbimit valutor është favorizues, interesat janë në minimumin historik dhe çmimet e naftës janë të minimum.
Masat e kursimit nuk janë fajtore. Ndërsa konsolidimi i parakohshëm i buxheteve publike qe përgjegjës për shkaktimin e recesionit të dyfishtë pesë vjet më parë, politika fiskale ka qenë në përgjithësi neutrale që nga viti 2015.
Një pjesë e shpjegimit është ngadalësimi në ekonomitë në zhvillim. Por faktorë të tillë të jashtëm janë me të njëjtin ndikim edhe në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar apo Suedia, ku ritmi i rritjes ekonomike është 2-3 për qind. E vërteta është se eurozona nuk ka një momentum të brendshëm. Pavarësisht rritjes së të ardhurave, familjet ngurojnë të konsumojnë dhe ndërtojnë; dhe, pavarësisht një rritjeje në fitime, kompanitë nuk janë të prirura të marrin rreziqe dhe të investojnë.
Një arsye për ngurrimin është fakti që e ardhmja duket e zymtë. Kjo është arsyeja se pse reformat që synojnë të fuqizojnë ekonominë në terma afatmesme, ndihmojnë edhe në terma afatshkurtra. Një arsye tjetër është se e shkuara rëndon tepër në të tashmen: për shkak se inflacioni është kaq i ulur, borxhi i akumuluar nuk hiqet qafe lehtë dhe agjentët ekonomikë janë të detyruar të kursejnë për ta paguar atë. Në fund, papunësia në disa pjesë të eurozonës mbetet shumë i lartë dhe familjet nuk rifitojnë dot vetëbesimin, ndërsa pozicioni fiskal nuk shpërndahet mes vendeve të ndryshme në atë mënyrë që të maksimizojë perspektivën për rritje. Kjo sëmundje këmbëngulëse ushqen inflacionin nën objektiv, i cili për rrjedhojë, i mban normat reale të interesit tepër të larta.
Ndërsa ekonomia është më e dobët nga sa duhet të jetë, BQE-ja e ka kapërcyer Rubikonin sërish dhe sërish me shpresë se do të rigjallërojë inflacionin. Pavarësisht përpjekjeve të përforcuara, gjithsesi, beteja mbetet me rezultat të pacaktuar.
Për këtë arsye, një pyetje e tretë duhet të shtrohet: Çfarë mund të bëjë eurozona nëse përballet me një përkeqësim të rëndë të mjedisit ndërkombëtar – për shembull, një rritje e shpejtë e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara apo një recesion në Kinë?
Në një situatë të tillë, kërkesa private do të kontraktohet; dhe, ndërsa qeveritë janë të mbingarkuara me borxhe dhe të vëmendshme për të mos u zënë në befasi nga rritja e rrezikut, kërkesa publike nuk mund të vijë në ndihmë. Kujtimet e krizës së borxheve sovrane të vitit 2011 mbeten të freskëta dhe shumë zyrtarë mund të vetëpërmbahen nga përdorimi i politikave fiskale për të fuqizuar ekonominë. Në të njëjtën kohë, BQE-ja mund të ketë mbërritur në limitin e mundshëm të politikës së lehtësimit sasior.
Por që të lihet një recesion të ndodhë pas një rimëkëmbjeje të shkurtër dhe të dobët, kjo do të shihet nga qytetarët si një dështim i madh politik, gjë që mund të dobësojë edhe më tej mbështetjen për euron.
Nën këtë panoramë, BQE-ja po mendohet hapur për përgjigjen më të përshtatshme. Në një intervistë së fundmi, Peter Praet, kryeekonomisti i saj hapur deklaroi se “të gjitha bankat qendrore” mund të prodhojnë para dhe të dërgojnë çeqe për te secili nga qytetarët – një opsion i fundit i njohur si “hedhja e parave me helikopter.” Për shkak se familjet do të shpenzojnë një pjesë të këtyre parave, hedhja e parave nga helikopteri do të sjellë njëkohësisht rritje të kërkesës së brendshme dhe të nivelit të çmimeve.
Ideja e bombardimit me para ngre pikëpyetje si ligjore ashtu edhe teknike. Në themel, ekonomistët orthodoksë pretendojnë se kjo do të bëjë një operacion thuajse fiskal, për të cilin Banka Qendrore nuk ka mandat. Mbështetësit e BQE argumentojnë se banka në fakt ka mandat për ta mbajtur inflacionin pranë 2 përqindëshit dhe se për këtë mandat duhet të përdorë të gjitha opsionet – edhe opsionet tepër jokonvencionale.
Është e vërtetë që hedhja e parave me helikopter mund të funksionojë si ekuivalenti i pagesave të drejtpërdrejta të qeverive për familjet, financuar nga furnizimi i vazhdueshëm me para nga Banka Qendrore. Kështu, hedhja e parave nga helikopteri, megjithëse në përputhje me mandatin e BQE-së për stabilitetin financiar, mundet me të vërtetë që të zhdukë dallimin mes politikës monetare dhe politikës fiskale.
Por a mundet të përdoret thjeshtë opsioni fiskal për këtë qëllim? Duke supozuar se qeveritë e caktuara mund të mos dëshirojnë të shpenzojnë, eurozona si entitet mund të marrë hua për të financuar politika që nxisin rritjen ekonomike.
Një lloj plani i ngjashëm me atë të Juncker (Presidenti i Komisionit Europian ka premtuar krijimin e një skeme për të investuar 315 miliardë euro brenda tre vitesh), por që duhet të jetë më i madh dhe i bazuar në projekte të parapërzgjedhura, të cilat duhet të aktivohen kur të jetë koha e duhur, mund të sigurojë një jastëk të rëndësishëm përballë rrezikut të recesionit.
Projekte të tilla mund të jenë investime që mund të ndihmojnë të kufizojnë ngrohjen globale, ose investimet për të pajisur forcën e punës për ekonominë dixhitale. Huamarrja mund të kryhet bashkarisht dhe mund të mbështetet nga një burim i dedikuar, ose taksë ose një kontribut me bazë PBB-në, i cili do t’i mundësojë Eurozonën të rishlyejë borxhet e veta.
Vështirësitë politike të mishëruara në një skemë të tillë, padyshim do ta bëjnë marrëveshjen të vështirë. Nuk është e qartë, nëse huamarrja e Eurozonës si e tërë do të jetë më e lehtë për t’u realizuar se sa transfertat e inxhinjeruara nga BQE-ja. Ajo që është e qartë është që eurozona duhet të vlerësojë këto opsione, për shkak se njëra prej tyre ka gjasa do të nevojitet së shpejti.

Exit mobile version