Europën e pret një ortek kokaine

Procesi paqësor mes qeverisë dhe lëvizjes kryengritëse majtiste FARC në Kolumbi mund të ndikojë në rritjen e ortekut të kokainës në Europë. FARC e ka shfrytëzuar procesin paqësor për t’i zgjeruar arat e mbjella me këtë shkurre tropikale, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”. Sipas një njoftimi të Zyrës së Drogës të OKB-së (UNODC) hapësira e mbjelljes mes viteve 2013 deri 2015 është dyfishuar dhe ka arritur 96 mijë hektarë. FARC e ka paguar luftën e vet të armatosur me kokainë dhe tani është e interesuar të krijojë rezerva, supozojnë autoritetet e sigurisë. Në kuadër të negociata për paqe, qeveria e Kolumbisë kishte hequr dorë nga spërkatja me helm e plantacioneve të kokainës. Rrjedhimisht prodhimi i kokainës ka arritur nivel rekordi. Në Europë autoritetet kanë shënuar rënie të çmimit të kokainës. Gjithashtu po konfiskohet gjithnjë e më shumë kokainë: vetëm në Portin e Antwerpenit vitin e kaluar janë konfiskuar 33,5 tonelata kokainë në vlerë prej 850 milionë euro. Një aktor kryesor në importimin e kokainës është Ndrangheta nga Italia Jugore, por, sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminalistike të Gjermanisë, në treg po depërtojnë gjithnjë e më shumë grupe nga Ballkani, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia.

Raporti i OKB

Raporti i fundit i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Drogën e klasifikon Shqipërinë si vend kryesor të prodhimit të kanabisit. Të dhënat e përpunuara në raportin e vitit 2016 i referohen vitit 2014. Ministri i Brendshëm dhe një pjesë e qeverisë refuzojnë të pranojnë situatën alarmante. Bashkë me daljen e tonelatave me kanabis në vend po hyjnë sasi të mëdha kokaine dhe heroine.
700 gram kokainë e pastër e ardhur nga Holanda u kap në mes të muajit në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Sasia nuk është domethënëse, por pastërtia e saj shton dyshimet se ajo kishte ardhur në Shqipëri për t’u përpunuar dhe për t’u tregtuar më pas në vend. Në Kalabri, mediat italiane raportuan sot për kapjen e 19 kilogramëve kokaine të pastër në një konteiner me pula të destinuara për në Durrës.
Droga vinte nga Paranagua e Brazilit. Vlera e saj në treg arrinte në 4 milionë euro. Antimafia në Itali po heton për të zbuluar rrjetin e trafikantëve. Dyshohet se kokaina do të përpunohej në Shqipëri për t’u tregtuar më pas në vende të BE.
Arsyeja përse një ngarkesë kaq e madhe kokaine ishte destinuar për Shqipërinë qëndron në faktin se, kontrollet në dogana besohet se janë më të pakta se në vendet e tjera përreth dhe se në Shqipëri ekzistojnë laboratorë të përpunimit të kokainës.
Vendi ynë në disa raporte ndërkombëtare konsiderohet edhe si tranzit i heroinës, që vjen kryesisht nga Turqia. Pasi përpunohet, një pjesë trafikohet drejt BE dhe një pjesë është e destinuar për në tregun vendas. Të dhënat zyrtare flasin për afro 65 mijë përdorues të drogave të forta dhe 83 për qind e tyre marrin heroinë. Një prej laboratorëve më të mëdhenj të përpunimit të kokainës u zbulua vitin e kaluar në Xibrakë të Elbasanit. Narkotrafikantët kishin punësuar dy kolumbianë për përpunimin e drogës.
Shqipëria është shndërruar kështu në qendër edhe për drogat e forta. Kjo për shkak të lidhjeve të grupeve shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike dhe ato të vendeve të tjera në Itali, Greqi e Turqi.
“Marijuana që vjen nga Shqipëria u dërgohet tre grupeve mafioze italiane, Ndrangheta, Camorra e Sacra Corona Unita, që e shpërndajnë në zonat e tyre të influencës. Kokaina dërgohet me kamionët e transportit të peshkut dhe agrumeve”, shkruan “Il Fatto Quotidiano” në një artikull të gazetarit Andrea Tornago të 20 shtatorit, referuar arrestimeve të grupit të drejtuar nga dy shqiptarët, Dhimitër e Xhevahir Poti, bashkëpunëtorë të Klement Balilit, që kërkohet në Greqi për trafikimin e marijuanës, pas kapjes së një ngarkese prej 700 kilogramësh.
Në Shqipëri, qeveria deklaron se është në betejë të vazhdueshme me narkotrafikantët. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e krahasojnë gjendjen me vitin elektoral 2013 dhe flasin për shifra të fshehura nga qeveria e asaj kohe.
Por në tre vjet qeverisje, kjo është e para herë që ata u referohen “të dhënave të mbajtura sekrete nga qeveria Berisha”, që sipas tyre tregojnë se kanabisi është mbjellë në mbarë vendin edhe në atë kohë.
Këtyre të dhënave, që askush nuk i ka parë në shkresa zyrtare, por vetëm në video të prodhuara nëpër zyrat qeveritare me harta e punime grafike, kryeministri dhe ministri i tij i Brendshëm iu qasën vetëm, pasi kanabisi u mboll në të katër anët.
Për herë të parë nëpër media ka dëshmi banorësh në fshat e qytet që pranojnë se janë të punësuar në plantacionet me kanabis apo në magazinat e tharjes dhe paketimit.
Për herë të parë pas kaq vitesh, përfshirë edhe 3 vjetët e qeverisë Rama, të arrestuar janë dhjetëra persona që janë të punësuar në këtë aktivitet të paligjshëm, përkundrejt pagesave prej 20–30 mijë lekësh në ditë.
Mediat ndërkombëtare po flasin gjithnjë e më shumë për përkeqësim të situatës. Dhe kjo jo vetëm referuar denoncimeve dhe akuzave të opozitës, por edhe shifrave të tonelatave me drogë të kapura jashtë Shqipërisë.

Arben SHAHINI

Exit mobile version