Dy të tretat e stadiumit janë mbushur me ngjyrat kuqezi. Ky ishte informacioni i dhënë nga UEFA në momentin kur gjyqtari kryesor, çeku Kralovec, vërshëlleu për nisjen e takimit Shqipëri-Rumani. Një dominim absolut i tifozëve shqiptarë në parkun “Olimpik” të Lyon-it, fanellat trengjyrëshe të fansave rumunë shfaqeshin thjesht si nuanca në detin e pafund kuqezi. Zyrtarisht në këtë stadium kanë qenë të pranishëm thuajse 50 mijë tifozë, pra me më shumë se 30 mijë shqiptarë.
E vështirë të thuhet një shifër e saktë, por ishte qartësisht e dallueshme se shqiptarët të vendosur në çdo sektor të impiantit dominonin ndaj tifozëve rumunë. Me këndimin në kor të këngës së kombëtares “Kuqezi je ti”, më pas të himnit kombëtar, si dhe mbështetja e zjarrtë gjatë 90 minutave të lojës, urugani kuqezi mposhti çdo tentativë të tifozëve kundështarë për të fituar skenën e parkut “Olimpik” të Lyon-it. Praktikisht një ndeshje e fituar që në tribuna, ashtu sikurse ndodhi edhe në përballjen e parë me Zvicrën në stadiumin e Lensit.
Më 11 qershor, ndaj përfaqësueses së Shaqirit, Xhakës, Behramit, Mehmedit dhe Xhemailit, kanë qenë të pranishëm 33 800 tifozë, ku mbi 20 mijë ishin shqiptarë. Shqipëria e mahniti Europën që në debutim, entuziazëm i jashtëzakonshëm e mbi të gjitha qytetari, në kontrast të plotë me atë që ndodhte me huliganët anglezë, rusë, hungarezë apo kroatë.
Edhe në sfidën e dytë në grup me Francën në “Velodromme”, shqiptarët jo vetëm që mbushën me kapacitet të plotë 16% të stadiumit që i takonte në bazë të rregullores së UEFA-s, por me mijëra të tjerë u dhanë nuanca kuqezi sektorëve ku ishin akomoduar tifozët francezë. Diçka e pazakontë për një përfaqësuese të vogël, por me zemër të madhe, e cila i tregoi Europës së futbollit që është pjesë e rëndësishme e saj.