Europiani i Shqipërisë

Mërgim Mavraj i ka dhënë fund pushimeve verore të post Europianit dhe është rikthyer te FC Koln për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, duke u nisur menjëherë me skuadrën për fazën stërvitore në Austri. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë për të përditshmen sportive gjermane “Kicker”, ku prek tema mjaft interesante duke nisur nga një analizë për performancën e kuqezinjve në Euro 2016.
“Është një përzierje ndjenjesh, shprehet Mavraj duke shtuar, nga njëra anë ne i tejkaluam pritshmëritë që kishin bashkatdhetarët tanë për ne. Nga ana tjetër kishim mundësinë për të marrë diçka në të tria ndeshjet, por e bëmë vetëm në njërën. Nga pikëpamja sportive mund të thuash se ndihesh i zhgënjyer, por një vëzhgues i paanshëm do të thoshte: Ata, shqiptarët lanë përshtypje të mëdha, duke përmirësuar edhe imazhin e Shqipërisë në Europë. Tifozët tanë ishin të mrekullueshëm dhe na kanë dhënë fuqi edhe për javët apo muajt e ardhshëm”.
Mavraj, i cili njihet gjerësisht për besimin e tij, shpjegon se gjatë Europianit që përkoi me muajin e Ramazanit, ka agjëruar vetëm në ditët e pushimit dhe jo në ato të ndeshjeve dhe shpjegimi i tij është i thjeshtë, në jetë ka disa gjëra që janë më të rëndësishme se futbolli, ndërkohë që nuk përdor diplomacinë kur flet për pritjen që iu bë skuadrës në Tiranë, duke u shprehur se do t’i kishte pëlqyer një pritje më spontane se sa diçka e planifikuar dhe shumë shtetërore. Tejet interesant është dhe shpjegimi i mbrojtësit mbi domethënien e këtij Europiani për kombin tonë. “Kombi ynë u ribashkua, thotë Mavraj ndërsa shton. Kombi ynë ka vuajtur në dekadat e fundit dhe Europiani ishte një eksperiencë që do të mbetet në përjetësi pasi ka një domethënie të jashtëzakonshme për ne. Në skuadër jemi shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipëria, shumica kanë lindur jashtë vendit. Ne u bashkuam të gjithë në një, edhe pse shtetet janë të ndara. Kjo kishte rëndësi të madhe, kjo është përjetësia. Kjo na jep fuqi dhe krenari”. Më pas Mavraj flet edhe për perspektivën e futbollit shqiptar duke pranuar se tani që Kosova ka përfaqësuesen e saj zgjedhjet e gjithsecilit lojtar për t’u bashkuar me njërën apo tjetrën skuadër do të jenë personale, por mbetet për t’u parë se mbi bazën e çfarë platforme do të veprojnë federatat, ndërsa për të ardhmen e tij, 30-vjeçari shprehet se për momentin është i përqendruar vetëm te Koln dhe nuk i interesojnë zërat e merkatos që flasin për interesimin e klubeve nga jashtë Gjermanisë për shërbimet e tij.

Exit mobile version