Europianisti Zhysten Godar dhe çështja shqiptare

Ndikimi i intelektualit të madh francez për çështjen shqiptare në vitet 1915-1956 është një
pasuri e madhe në marrëdhëniet franko-shqiptare. Zhysten Fransua-Pierre Godar lindi në Lion në vitin 1871. Kryetar i Fodacionit Kyri, deputet i zgjedhur qysh në vitin 1906 e deri kur u mbyll parlamenti në vitin 1940 në Francë, më pas Ministër i Punës dhe i Higjenës në vitin 1924.

Në vitin 1947 u zgjodh Kryetar i Kongresit “Në luftë kundër kancerit”.

Përfaqësues i senatit francez dhe anëtar i Misionit të Lidhjes së Kombeve në vitin 1912 për Ballkanin së bashku me Konstain.

Ai u shtri i qetë mbrëmjen e së mërkurës të 12 Dhjetorit të vitit 1956 dhe nuk u zgjua më të nesërmen në mëngjes duke patur parasysh urimin suprem të të urtëve: “Dil nga jeta siç ke hyrë pa patur asnjë frikë”.

Zhysten Godar ishte mik me Mit’that Frashërin alias (Lumo Skëndon) që nga periudha e përpjekjeve të tyre për ta bërë Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve.

Me rastin e 25 vjetorit të Pavarsisë të Shqipërisë në vitin 1937 mbreti Zog I e dekoroi me Kordonin e Madh të Urdhërit të Skënderbeut. Ai është i vetmi francez i dekoruar me këtë urdhër. Ai ishte një radikal socialist që iu kundërvu pushtimit nazist në Francë. Qeveria e Shqipërisë e dalë pas Luftës së Dytë Botërore e respektoi Godarin si Presidenti i Nderit i Shoqatës Shqipëri-Francë dhe pse i kërkoj atij tashmë një libër për historinë e arritjeve të komunistëve shqiptarë, imponim që edukata e tij franceze nuk mund ta pranonte.

Fakt interesant mbetet vizita e tij në disa qytete të Shqipërisë, për të cilët ai ka dhënë përshtypjet e veta. Në Gjirokastër lulet e mirëseardhjes ia ka dhuruar Musine Kokolari. Një rrugë në Tiranë mban emrin Zhysten Godar.

Në festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë, ky emër, thuajse nuk njihej apo u anashkalua. Godar kishte luftuar që Shqipërinë ta lidhte me Evropën Perëndimore pazgjidhshmërisht. “Për Shqipërinë, të braktiste njëherë e mirë botën lindore dhe të përfshihej në atë perëndimore kishte qenë heroizëm i vërtet” – shkruan ai.

Kombi shqiptar u është mirënjohës atyre njerëzve të shquar të Francës së Madhe, të cilët me një kurajo civile e kanë mbrojtur çështjen shqiptare si rrallë kush në botë duke e paraqitur si një çështje të drejtë dhe parimore mohimin që bëri Konferencës e Londrës, e cila i ndau padrejtësisht tokat shqiptare.

Ish koha kur duhej të kaloje mbi një propagandë paragjykuese e dashakeqe të shumë rrymave politike lindore e perëndimore.

Zhysten Godari me veprën e tij “Shqipëria më 1921” kishte për qëllim, që në Francë, lexuesi, në rradhë të parë personalitetet e politikës franceze dhe intelektualët më në zë të njiheshin me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e t’i përkrahnin ata në zhvillimin e gjithanshëm.

Në këtë vepër të autorit shohim optimizmin dhe besimin e tij, se Shqipëria në kundërshtim me thëniet dashakeqe, e ka frymën e zhvillimit drejt qytetërimit perëndimor. Ajo është e aftë të dalë nga prapambetja disa shekullore ku e kishin zhytur pushtuesit e njëpasnjëshëm,të prapambetur, të egër dhe të pagdhendur.

Ajo ka një shpirt patriotik të papërkulur, të rrënjosur gjatë historisë së saj mijëravjeçare. Pra, çështja e krijimit të shtetit shqiptar ka një karakter shpirtëror. Godari kundërshton me fakte librin e Vladan Gjergjeviçit “Shqiptarët dhe Fuqit e mëdha”, sipas të cilit kombësia shqiptare nuk mund të krijonte shtet më vete, sepse ishte e paaftë të përparonte.

Godari citon pjesë nga vepra e historianit të shquar francez Gobino i cili në veprën “Skicë mbi pabarazinë e rracave njerëzore” shqiptarët i paraqiste si kombësi e veçantë, ata i përkisnin rracës së bardhë ariane e trashëguar nga të parët e tyre Ilirët.

Si të tillë ata janë të prirur për qytetërim. Godari jep edhe një citim të një francezi tjetër, Viktor Berarit të shprehur në veprën “Turqia dhe Helenizmi i sotëm” “…nga gjiri i shqiptarëve kanë lindur Mehmet Aliu, sundimtari i Egjiptit dhe Pirroja i Epirit, Skënderbeu dhe Ali Pashë Tepelena.

Kjo do të thotë se shqiptarët janë të aftë të qëndrojnë me këmbët e tyre, që do të thotë komb i pavarur.”

Alfons de Lamartini me veprën e tij “Historia e Turqisë” botuar më 1854-1855 vepër me tetë vëllime, ku vëllimin e tretë ia kushton tërësisht figurës së Skënderbeut.

Kjo vepër për Godarin ka ndikuar padyshim. Lamartini shkruan se feja e shqiptarëve nuk është fanatike, ata qëndrojnë mes fesë muhamedane e orthodokse, por ka edhe katolikë, banorët janë analfabetë prandaj i ndryshojnë shpejt mendimet e tyre fetare. E vetmja dëshirë e tyre është pavarësia e vendit të tyre dhe lavdia. Shqipërinë të huajt e quajnë tokë e heronjve të të gjitha kohërave. Sipas Lamartinit, Shqipëria është atdheu i Homerit dhe Akilit dhe Greqia vendi i Aleksandrit.

Skënderbeu zbret prej të parëve që përmendëm. Emri Alban vjen nga qyteti Alba të cilin ata e kishin ndërtuar në kohën e Greqisë së lashtë në malet që i ndajnë nga Serbia. Gjithashtu flet edhe për pamjen e jashtme të shqiptarëve: – “Bukuria mashkullore është madhështore, tek gratë është e famshme në Lindje. Ata janë Çekrezët e Adriatikut. Shqiptarët janë të bukur, të shkathët, të fuqishëm. Atyre armët ju pëlqejnë, por edhe luftimet, aventurat, vrapimet në tokë edhe në det, hajdutëritë; ata janë të zhdërvjellët e të fuqishëm. Ata i gjejmë si ushtarë në Siri, Egjipt, Stamboll e gjetkë, nuk janë të disiplinuar siç janë europianët, disiplinën e quajnë ngarkesë trupore e shpirtërore. Ata pëlqejnë luftimet trup me trup. Ata kanë shpirt patriotik siç kanë edhe zakonet, këngët e bukura që ia kushtojnë Skënderbeut.

Ato këngë u ngjajnë atyre homerike, si ato të Akilit, poezinë, muzikën dhe vallet e luftës i përziejnë. Kur s’kanë punë ata i sheh të shtrirë, të fjetur në diell në plazh, në çaste gëzimi ata i sheh të këndojnë së bashku me gratë.” Nuk ka dyshim që miqtë e Shqipërisë në Francë e njohin mirë faktin që për Skënderbeun kish shkrojtur edhe Volteri. Filoshqiptari Zhysten Godar kishte lexuar shumë për Shqipërinë.

Ai pranon se kish huazuar Ami Bue, gjeolog i shquar francez(1794-1881). Ami Bue kishte bërë udhëtime në ballkan në kohën e pushtimit Osman dhe na ka lënë veprën “Turqia Europiane” botuar më 1840. Në këtë vepër ai bën fjalë për Ballkanin dhe popujt ballkanikë, për zakonet, veshjet, arkiologjinë, industrinë, tregtinë dhe bujqësinë e tyre, për pushtetin Osman të ushtruar në ato vende, për ushtrinë, drejtësinë, për shkollat dhe arsimin në përgjithësi, për shëndetësinë, për pasuritë e vendeve mbi dhe nën tokë. Në të dhënat e tyre përfshihen Shqipëria dhe shqiptarët.

Ai në vëllimin e parë të veprës shkruan për Shqipërinë e cila përshkuhet nga lumi Drin dhe Buna në të cilën lundrojnë anijet, këto i çojnë në Obot afër Shkodrës. Për bujqësinë këta lumenj mund të shfrytëzohen fare mirë. Por edhe liqenet Shqipëria i ka të mirë, të tillë janë liqeni i Shkodrës, i Prespës, Drenovës. Bue përshkruan, se tokat shqiptare të cilat mund të japin prodhime të shumllojshme bujqësore, përbëjnë një pasuri jo të vogël për vendin. Autori ka vizituar cep e më cep Shqipërinë edhe Kosovën. Atdheu i Skënderbeut mund të prodhojë gjithçka për të ushqyer veten, për të zhvilluar tregtinë dhe industrinë. Me këto pasuri Shqipëria mund të industrializohet. Edhe liqenet janë të pasur me peshq, si shembull jep atë të Shkodrës.

Një mik tjetër i këtij kalibri që kish njohur Shqipërinë ishte Albert Dymori me veprën “Ballkani dhe Adriatiku”, botuar në Paris 1837.

Ky autor vëren se tregu i Shkodrës është nga më të mirët në perandorinë osmane, por derdhjet e liqenit e bezdisin këtë qytet me më shumë se 35 mijë banorë.

Bejlerët e Shqipërisë vëren autori, janë të mendimit se Shkodra është vendi më i sigurtë për të huajt; mendimet e reja bejlerëve nuk u pëlqejnë sepse zanafillën e kanë tek të huajt, ata nuk e mbrojnë gjithmonë rajanë. Sipas bejlerëve të mëdhenj, shkollat u mësojnë nxënësve se si zhvillohen kryengritjet, portet dhe rrugët.

”Progresi është armiku i tyre. Idetë perëndimore janë të dënueshme për ta, idetë më të bukura sipas tyre janë ato osmane. Banorët shqiptarë janë të ndershëm, të drejtë, por të rrethuar nga epidemitë. Ata janë njerëz zemërmëdhenj, megjithëse të varfër. Kishat nuk kanë me se t’i mbajnë, klerikët e tyre paguhen nga Roma dhe nga Austria.

Zhvillimi i arsimit është i dobët, janë françeskanët që merren me edukimin. Injoranca e klerikëve është e plotë, kleriku është po aq injorant dhe i paditur sa edhe fshatari.

Porta e Lartë e pengonte zhvillimin e Shqipërisë dhe puna arriti deri aty sa të krishterët të mbeteshin pa kisha. Turqit,grekët, hebrenjtë i luftojnë të krishterët e Shkodrës”.

Dymoni ndjek rrugën e Buesë, ai thekson: “Më të lashtë se këta në Ballkan nuk ka. Ata kanë qenë në viset e tyre përpara sllavëve, shqiptarët në veri rrojnë pothuajse në barbari të plotë. Ky popull i vjetër nuk e njeh shkrimin sepse osmanët nuk e dëshirojnë, prandaj edhe nuk e lejojnë.

Shqiptarët e maleve kurrë nuk u janë nënshtruar osmanëve, atyre u japin disa ushtarë. Shqiptarët gëzojnë ndjenjën e bukurisë dhe harmonisë, por ata jetojnë pothuajse në kohën e Homerit.” Francezi Zharej kishte shkruar: ”Nga thellësitë e historisë kur ai ndoshta ka luajtur rol të veçantë(Skënderbeu), shqiptari ringjallet nëpërmjet forcës së ndjenjave të pavdekshme”. Shqiptari tanimë kishte përpara dy detyra të mëdha: të mbronte pavarësinë kombëtare me qëllim që të pasurohej, të mos lypte, por të përmirësonte, karakterin e tij të dobësuar gjatë shekujve nëpërmjet një robërie prapanike moralisht vdekjeprurëse. Një tjetër francez si De Grandi e kishte studiuar i madhi Godar, në veprën e të cilit ishte njohur në Paris “Kujtime nga Shqipëria e sipërme”, botuar në Paris 1901.

Degrandi duke shkruajtur për Mirditën të cilën e kishte vizituar, vëren se perandoria osmane nuk e ka vendosur qetësinë. Hakmarrja është në fuqi atje, për shkak se ajo krahinë nuk dëshiron që të mbetet e përçarë.

Nga informatat që kish mbledhur në Mirditë, 30% e popullsisë mashkullore, vdiste nga sëmundjet. Kjo ishte për të ardhur keq, sepse mirditorët janë të zgjuar, megjithatë shumica vdes nga vuajtjet.

Simpatia e De Grandit për qytetin e Durrësit ishte simpatia për qytetërimin perëndimor. Durrësi ishte qytet port përballë atdheut të Dantes, të Kavurit dhe Garibaldit. Pushtuesit nuk kanë bërë asgjë për ti ndihmuar shqiptarët;- vëren Degrandi.

Pavarësisht nga feja, ata nuk u dhanë shqiptarëve asgjë të mirë. Ata u mësuan shqiptarëve se qytetërimi nuk e përjashton pangopësinë dhe pabesinë.

Venecianët u sollën në të njëjtën mënyrë si edhe pushtuesit e tjerë. Feja katolike nuk e pengonte atë republikë tregtare që të sakrifikonte gjithçka për të rrjepur sa më shumë. Kryqtarët nuk u sollën më mirë. Ata ishin të pasionuar mbas dhunës dhe nuk kishe ç’të mësoje prej tyre.

Sa për osmanët, fanatizmi i tyre fetar përndiqte dhe përbuzte njerëzit sa edhe të tjerët. Në këtë katrahurë të krijuar në vendin e shqiptarëve ata që mbillnin tokën përpiqeshin të ruanin kokën, një pjesë e tyre u strehuan në male, për të shpëtuar nga egërsia e paparë. Ata fushën pothuajse ua lanë armiqve; këta në vend që ta punonin, e shkretonin. Kjo ishte arsyeja, sipas De Grandit, që shqiptarët mbeteshin të prapambetur. Ezhen Pitar, mik i ngushtë i Mit’hat Frashërit, por dhe shkencëtari i shquar në fushën e antropologjisë së bashku me bashkëshorten, e vizituan Shqipërinë dhe panë me sytë e tyre vendin për të cilin kishin bërë aq shumë. Miku zviceran Pitar shkruan: – “Shqipëria është mikja ime intime, ajo është shumë simpatike.

Shqiptarët janë popull liridashës, ligjet medoemos ata do t’i respektojnë. Ata janë të ndershëm e u ngjajnë shumë zviceranëve. Grave suliote askush nuk ua kalon, shqiptarët kanë mbrojtur me burrërri vendin e tyre. Doket shqiptarët i kanë të thjeshta: ndershmëria dëshira për punë, aftësia intelektuale, kurajoja, besnikëria për fjalën e dhënë, janë të tyret, të gjitha këto janë vyrtyte. Prandaj edhe populli i pajisur me këto cilësi morale ka plotësisht të drejtë të gëzojë lirinë e vet kombëtare.” Pol Bryzhe një tjetër intelektual francez e kish frymëzuar Godarin me studimin e popujve të ballkanit përfshirë edhe shqiptarët. Për shqiptarët ja se si i përshkruan: “Tipat më fisnikë mbeteshin akoma shqiptarët me fustanellat e tyre të pastra në Ballkan; që do të thotë më të pastër dhe me tradita më të mira.”

Por, padyshim dhe Pukvilli në veprën e tij ka ndikuar tek Godar. Ai shkruan për shqiptarët se përmisohen pa humbur asgjë nga energjia e tyre. Ata janë në gjendje të përdorin armën njëlloj si belin dhe kazmën.

Shqiptarët janë kaq tregtarë të zhdërvjellët sa dhe vetë hebrenjtë nuk ua dalin. Shqiptari është familjar i mirë. Ai respekton prindërit, gjyshërit, motrat e vllezërit.” Godari nuk vepronte i vetmuar në mbrojtje të shqiptarëve. Ai mblidhte miq mendjemprehtë, të aftë për të përhapur njohuritë historike për Shqipërinë në Francë. Njëri prej tyre ishte edhe Gabriel Lui Zhare, të cilin e njohim me veprën “Mbretërija e re e Shqipërisë”, Ç’ka qenë ajo e ç’është sot”, botuar në Paris në vitin 1914.

Ai shkruan se qeveria shqiptare ka shumë punë për të bërë, sidomos për arsimin e vendit, apo për tharjen e kënetave në Vlorë. Zharej thekson, se shqiptarët kanë një ndjenjë të thellë kombëtare, shijen e pavarësisë e kanë të fuqishme, po ashtu dhe të origjinës së tyre, madje edhe zakonet i kanë të veçanta.

Në Shqipëri ka fe të ndryshme, por kombësia është një e vetme. Ndryshimi i feve në Shqipëri nuk e ka ndalur bashkimin kombëtar. Shqipëria ka shumë nevojë për ndihmat e huaja. Shqiptari mund të këshillohet me të tjerët, por gjithnjë ai bën sipas interesit të vet.

Shqiptarët e mbajnë veten kryelartë e të pavarur, ata janë ushtarë të lindur.

Shprehja popullore “miku i mirë njihet në ditë të vështirë”, u bë një lajtmotiv për çështjen shqiptare, në këtë rradhë u fut edhe intelektuali i shquar francez D’Eturnel dë Kostan, senator i cili me fjalimin e tij “Shqipëria dhe paqja në Evropë”, botuar në organin “Lidhja e të drejtave të njeriut dhe qytetarit”. Bindja e tij konsistonte, se detyra e Lidhjes së Kombeve ishte të mbronte lirinë dhe drejtësinë, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, madje në tërë botën.

Kostani e kish vizituar Shkodrën më 1879, “kur çështja shqiptare ishte edhe më e rëndë, ndërsa sot ajo diskutohet në mbledhje e konferenca edhe kongrese”,- shprehej ai. Është detyra jonë si diplomat, që këta popuj t’i mbrojmë. Shqipatrët, dëshmon ai, e kishin të zhvilluar vetëdijen për të përparuar, ata nuk ishin kafshë që vegjetonin, por njerëz të cilëve u pëlqente përparimi. Kemi të bëjmë me një popull të respektuar të cilin mund ta duash, domethënë ta ndihmosh si fshatarin edhe zejtarin”.

Si Italia dhe Austria kanë interesat e tyre në Shqipëri, qeveria austriake nuk dëshironte që Vlora të binte në dorë të italianëve, megjithatë Shqipëria qëndroi. Kjo ishte vendosur mes Austrisë dhe Serbisë në Veri, bullgarëvet në Lindje, italianëve në Perëndim, grekëve në Jug; të gjithë këta duan ta gëlltisin duke shfrytëzuar faktin që Shqipëria ka tri fe. Po shqiptarët janë që të gjithë patriotë; ata dëshirojnë pavarësinë e tyre si çdo popull tjetër. Mbi fenë ata adhurojnë atdheun, për të cilin janë bërë fli, ata i dëbuan të huajt. Fuqitë e Mëdha e kanë lënë Shqipërinë në fatin e vet; osmanët nuk bënë asgjë për fatin e Shqipërisë, ndërsa francezët nuk kanë treguar asnjë dinakëri ndaj shqipëtarëve, ata kanë interes t’i nderojnë t’i dashurojnë popujt, përfshirë edhe shqiptarët.

Por Franca duhet të bëjë më shumë; Shqipëria duhet të ishte Zvicra, vend i lirë dhe i pasur, në qoftë se ajo do të ndihmohej, zhvillimi i saj do të ecte me hapa të shpejta..” Fjalimi i Kostain në Lidhjen e Kombeve e zgjoi botën e qytetëruar e cila ishte thuajse e përgjumur për çështjen shqiptare.

Presidenti i Amerikës Uillson e kish bërë të vetën me shprehjen: “Nuk mund të bëjmë
tregti me popujt dhe krahinat e të tjerëve për t’ia u dhënë atyre që nuk u takojnë, sikur ata të ishin plaçkë tregu. Shqiptarët nuk duhet të dëmtohen për të kënaqur jugosllavët, por ai ishte edhe kundër, që edhe tokat e jugosllavëve t’u jepeshin italianëve.”

Emil Kani Profesor në Universitetin e Parisit, i cili kish vizituar Shkodrën më 1910, kur Shqipëria e Veriut ishte në kryengritje shprehej: – “Ishte koha kur autorë të ndryshëm shkruanin dhe e paraqisnin Shqipërinë siç nuk ishte në të vërtetë, atë e kanë marrë si vend barbar, me njerëz të ngjashëm me lugetërit, si njerëz me bisht si atë të majmunit, të tillë e kanë shpallur grekët, serbët, rusët, Shqipërinë, madje edhe si një shërbëtore besnike e Abdyl Hamidit, Sulltanit të kuq, ose si një krijesë të Austrisë.

Në të vërtet shqiptarët janë si edhe ne”- shpalli Emil Kan krejt hapur. “Ata e duan lirinë e pavarësinë kaq sa e duam ne tonën. Të gabosh është njerëzore, por të ngulësh këmbë në gabim është djallëzore.

Zhysten Godar miku i madh i Shqipërisë vëren se karakteri fanatik musliman i Shqipërisë hidhet poshtë edhe me faktin, se për një kohë të gjatë ka qenë në krye të delegacionit shqiptar në Paris një katolik.Ishte fjala për Luigj Bumçin. Kështu qëndron puna edhe për një peshkop tjetër, ky ortodoks. Ishte fjala për Fan Nolin, kryetar i një delegacioni në Gjenevë, i përbërë vetëm nga ortodoksët, pa asnjë musliman.

Ju e keni parë se një ortodoks si kryetari i parlamentit ka qenë zgjedhur, ishte fjala për zotin Pandeli Evangjeli. Në vizitën e tij në Shqipëri, ai mrekullohet nga qetësia e përsosur. Godar përsërit me këmbëngulje se vëllazëria midis muslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve është e mrekullueshme. Ajo është themeli i forcimit të bashkimit kombëtar. Janë shtetet e huaja ata që e dëmtojnë Shqipërinë për interesat e ngushta të tyre.

Ndryshimi i feve nuk e pengon aspak përparimin e vendit. Bektashizmi është një dukuri tolerante, ai i ka shërbyer shumë vendit të vet. Ideali fisnik për atdheun i ka bërë shqiptarët të mos e shikojnë ngushtë çështjen fetare. Çështja e shumë debatuar në historinë shqiptare ajo e Shën Naumit dhe mbrojtja që iu bë në Lidhjen e Kombeve nga Godari ishte një nga faktet fatkeqe se si Fuqitë e Mëdha ia dhanë Serbisë me pa të drejtë. Më 24 Maj të vitit 1921 Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve falë edhe kontributit të Zhysten Godarit dhe mikut të tij Eturnel de Konstan. Ata i dërguan telegram kryetarit të shoqatës së kombeve Zotit Pol Himans me këtë kërkesë: “E harruar nga traktati i Sevrës e konsideruar si një pasuri pa zot dhe e dhuruar gjithkujt që dëshiron ta marrë, ajo megjithatë, ka të drejtë për të jetuar. Populli i saj është evropian. Ne besojmë të kryejmë detyrën tonë duke bërë thirrje interesimit tuaj të lartë kundër një padrejtësie dhe një rreziku që duhet shmangur.”

Një letër tjetër për kryeministrin francez dhe ministrin e jashtëm të saj dërguar nga Godar, po ato ditë, tregon se ai ka qenë në Shqipëri prej 5 javësh. “S’ka dyshim,- shkruan ai- që Shqipëria është e pakënaqur nga caktimi i kufijnjëve të vitit 1913 në Konferencën e Londrës.” Shqipëria për prapambetjen e saj të gjithanëshme nuk ishte fajtore. Godar arrin në përfundimin krejt logjik se Shqipëria kishte plotësisht të drejtë të padiste Fuqitë të Mëdha të Evropës Perëndimore: – “..ju më keni shtypur, ju më keni shkatërruar, ju më keni ndarë, ju jeni grindur për copat e tokës time, tani ju po më qortoni.”

Përgatiti:
Kastriot KOTONI

Exit mobile version