Euro vijon trendin e zbritjes, arrin nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit

Euro ka prekur nivelin më të ulët të vitit 2022 në kursin e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 120.84 lekë, vlera më e ulët për këtë vit kalendarik. Euro është rikthyer tashmë pranë vlerave që shënonte në gjysmën e dytë të muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Në gjysmën e parë të janarit, euro pati dhënë sinjale të rimëkëmbjes dhe u forcua deri në vlerën e 122.3 lekëve, vlera më e lartë që prej 12 nëntorit të vitit të kaluar. Por, kjo tendencë nuk zgjati shumë dhe në gjysmën e dytë të janarit kursi i euros iu rikthye rënies. Të premten leku u mbiçmua ndaj monedhës europiane për të nëntën ditë radhazi.

Ekspertët e tregut valutor mendojnë se forcimi i euros në gjysmën e parë të janarit lidhej me një rritje të përkohshme të kërkesës për të, sidomos nga disa biznese të sektorëve të veçantë. Sipas tyre, kjo kërkesë lidhej kryesisht me financimin e importeve në këta sektorë. Tashmë, kjo fazë duket se është ezauruar, ndaj edhe kursi iu është kthyer niveleve të mëparshme. Agjentët e tregut valutor vazhdojnë të konstatojnë ofertë të bollshme të valutës europiane, çka po e mban kursin e euros pranë niveleve më të ulët në 15 vitet e fundit. Rritja me ritme të larta e depozitave bankare në euro është një tregues i drejtpërdrejtë i prurjeve të larta të euros në ekonominë shqiptare. Në fund të nëntorit 2021, depozitat në monedhën europiane arritën vlerën e 5.3 miliardë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto depozita janë shtuar me 800 milionë euro ose 17.7%.

Në fakt, zhvillimet makroekonomike të tremujorit të fundit të vitit të kaluar kishin krijuar pritshmëri për presione në drejtim të nënçmimit të lekut kundrejt euros. Këto pritshmëri ishin të lidhura sidomos me rritjen e inflacionit dhe shtrenjtimin e mallrave të importit. Në veçanti, nevojat për importe në vlera të mëdha të energjisë elektrike besohej se do të shtonin ndjeshëm kërkesën për euro në tregun valutor. Megjithatë, ndikimi i importeve të energjisë rezultoi shumë afatshkurtër. Kompanitë e sektorit energjetik morën hua bankare direkt në monedhën europiane, duke shmangur nevojën për të blerë euro në treg. Në këtë mënyrë, likuiditeti i lartë në euro që zotëron tregu bankar duket se shërbeu si një faktor amortizues i presioneve nënçmuese në kursin e këmbimit të lekut. Një faktor tjetër me rëndësi ishte edhe Eurobondi prej 650 milionë eurosh i siguruar nga qeveria shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Një pjesë e këtyre parave besohet se u përdorën për të mbuluar deficitin buxhetor, duke rritur ofertën e euros në treg. Këto zhvillime kanë bërë që leku të rezistojë në pozita të forta ndaj euros.

Ekspertët e tregut valutor megjithatë mendojnë se për momentin nuk pritet që rënia e euros të vazhdojë përtej niveleve që u shënuan gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Sidoqoftë, ata

besojnë se inflacioni i lartë dhe pritshmëritë për rritjen, pas shumë vitesh, të normave të interesit janë faktorë që e bëjnë më të vështirë parashikimin e tendencave në kursin e këmbimit valutor./Monitor/

 

Artikulli paraprakNënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku: Qeveria rriti borxhin në 92%
Artikulli tjetër“Shqipëria, pas Maqedonisë dhe Kosovës”/ REL: Ballkani, larg përshtatjes me politikat e jashtme të BE-së