Eurostat: Shqipëria, nivele të ulëta të mbrojtjes sociale

Shtresat e brishta, të tilla si pensionistët, të papunët dhe invalidët trajtohen financiarisht nga shteti tre herë më pak se mesatarja e BE. Sipas Eurostat, shpenzimet për mbrojtjen sociale në BE ishin më 2014 sa 28.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të BE. Ndërsa Shqipëria për të njëjtin vit i ka patur këto shpenzime vetëm 9.5 për qind të PBB-së ose 132 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare. Në BE shpenzimet publike për pensionet e pleqërisë zënë 46 për qind të PBB, në Shqipëri shpenzimet për pensionet e pleqërisë janë mbi 80 për qind të fondit të mbrojtjes sociales. Ndërsa në BE fondet për familjet me fëmijë zënë 8.5% të shpenzimeve të mbrojtjes sociale në Shqipëri ky zë nuk ekziston fare. Gjithashtu, Shqipëria në raport me PBB shpenzon shumë herë më pak për pagesën e papunësisë dhe ndihmën sociale.
Në vitin 2014, dy burimet kryesore të financimit të mbrojtjes sociale në nivel të BE-së ishin kontributet e qeverisjes së përgjithshme nga taksat, që përbëjnë 40% të totalit të të ardhurave dhe kontributet sociale në 54%.
Megjithatë edhe në mes të BE ka pabarazi të mëdha përsa i përket trajtimit financiar të shtresave të brishta. Në vendet e Europës Qendrore, Francë, Danimarkë, Finlandë, Holandë, Belgjikë, Austri këto shpenzime zënë 30 për qind të PBB, ndërsa ish-vende të Lindjes, Letoni, Lituania, Sllovakia, Hungaria shpenzojnë rreth 25-20 për qind të PBB-së.
Shpenzimet më të larta të mbrojtjes sociale për frymë janë regjistruar në Danimarkë, Holandë dhe Austri në rreth 35% në 40% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Gjermania dhe Franca me rreth 30% mbi mesataren, si dhe Belgjika, Finlanda dhe Suedia në rreth 20% më lart. Shpenzimet më të ulëta për banorë janë regjistruar në Rumani në më shumë se 70% nën mesataren e BE-së, e ndjekur nga Bullgaria dhe Letonia (në mes 65% dhe 70% nën mesataren).

Artikulli paraprakBankat hezitojnë t’i japin borxhin e ri qeverisë
Artikulli tjetërPrapaskenat e kalimit te Grozni