Eurostat: Shqiptarët, më të varfrit

Eurostat ka publikuar të dhënat e fundit, që i referohen vitit 2016, të konsumit dhe PBB-së për frymë në vendet e Bashkimit Europian, ato të Eftas dhe vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë. Në total janë 37 vende të analizuara. Dy janë indikatorët e publikuar, konsumi individual dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë. Në të dy indikatorët, Shqipëria është e fundit ndër këto 37 vende. Indikatori i parë, pra ai i konsumit individual aktual, është një matës real i mirëqenies materiale të familjarëve. Në Shqipëri, kjo vlerë është e barabartë me 39% të mesatares europiane. Për vendet e tjera të rajonit, përfshirë Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, kjo vlerë është më e lartë. Dy vendet me normën më të lartë në Europë, janë Norvegjia dhe Luksemburgu, në 132% të mesatares europiane. Edhe në indikatorin e dytë, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të shprehur në fuqinë blerëse të standardizuar, Shqipëria është e fundit.  Në Shqipëri, prodhimi  i brendshëm bruto për frymë është sa 30% e mesatares europiane, pra edhe më pak se një e treta. Pak më mirë se ne është Bosnje-Hercegovina. Në Luksemburg ndërkohë, kjo normë është sa 267% e mesatares europiane, pra më shumë se dyfish më e lartë.

Exit mobile version