Një muaj përpara takimeve propagandistike me tregtarë e qytetarë, kryeministri bënte këtë paralajmërim në një takim me drejtorët e Tatimeve të mbledhur në zyrën e tij, në temperaturat e larta të gushtit 2015.
“Ky operacion nuk ka në fokusin e vet më të vegjëlit, por më të mëdhenjtë. Paralajmërimi i hapur për të gjithë ju: Sepse dihet botërisht që informaliteti nuk është thjesht produkt i atyre që merren me biznes, por dhe i administratës tatimore, për shkak të sjelljes e veprimeve të paligjshme. Nuk është betejë kundër biznesit, por për të mbrojtur konsumatorin e biznesin shqiptar. Do vëmë në dispozicion adresa, numra komunikimi apo rrjete sociale, ku të bëhen publike çdo shfaqje të padenjë të Administratës Tatimore e Doganore. Do marrim masa ndaj tatimorëve dhe do japin shpegimet e duhura”.
Por sondazhin rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Maqedoni dhe Shqipëri zbulon se, avazioni i ekonomisë shqiptare është në nivelet më të larta historike. Plot 84.3% e kompanive të anketuara kanë konfirmuar se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në të shumtën e rasteve, ose qoftë edhe ndonjëherë. Për Maqedoninë të dhënat janë shumë më të ulta në krahasim me Shqipërinë. 54.4% e bizneseve konfirmojnë se përdorin vazhdimisht ose në mënyrë sporadike praktikat e ekonomisë së fshehur.
Sondazhi është kryer nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri. Metdologjia e përdorur është identike në të dy rastet. Periudhat janë të ndryshme. Në Maqedoni sondazhi u krye në fund të vitit 2016 dhe në Shqipëri në mes të pranverës 2017 (prill).
Në raport theksohet fakti se, fshehja e xhiros me qëllim për të shmangur taksat është në nivele domethënëse në Shqipëri.
Në një sondazh të mëparshëm rajonal, 52% e shqiptarëve deklaruan se nuk merrnin kuponin tatimor, përkundër 17% në Maqedoni dhe 29% në Kosovë.
Revista “Monitor” publikoi edhe metodat që përdorin bizneset për të shmangur taksat ose për t’i manipuluar ato.
Metodat më të zakonshme:
Të punësosh një person pa kontratë ose me kontratë me klauzola të fshehura;
Raportimi i të ardhurave më të ulëta;
Mospagimi i detyrimeve, taksave dhe akcizës;
Dhënia dhe marrja e ryshfetit
Mos lëshimi i faturave
Këmbëngulja në pagesat cash
Kryerja e prokurimeve pa tender
Ekzekutimi i marrëveshjeve të caktuara
Flukset dalëse ose hyrëse ilegale të aseteve
Manipulimi me pagesën e TVSH-së
Përdorimi i trukeve të kontabilitetit në mënyrë që të paguhen më pak taksa
Një tjetër metodë është manipulimi me TVSH-në, thuhet në raport. 60% e bizneseve në Shqipëri konfirmuan se, manipulimi me TVSH-në përdoret vazhdimisht, në pjesën më të madhe të rasteve, ose ndonjëherë, kundrejt 31% që e konfirmuan këtë metodë në Maqedoni.
Të dhënat e këtij sondazhi janë treguesi më i mirë se ku përfundoi një tjetër “betejë” e madhe e qeverisë Rama, ashtu si ajo për lojërat e fatit, ku kazinotë po lulëzojnë në katet e para të pallateve dhe ku ligji që do t’i ndalonte u shty nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama deri në vitin 2019.