Evertoni, leksion Arsenalit

Arsenali nuk arriti të marrë kreun e renditjes në Premier League pasi u mund 2-1 në “Goodison Park” me Ashley Williams që ishte protagonisti i kësaj ndeshjeje me golin e tij në minutën e 86. Mbrojtësi i Evertonit e mbylli mbrëmjen me një autogol dhe një gol, duke korrigjuar madje dhe momentin e pafat të pjesës së parë, kur Arsenali mori epërsinë pikërisht si pasojë e një devijimi të tij pas goditjes së Alexi Sanchezit.
Arsenali nuk arriti të mbyllë ndeshjen në momentin e tij më të mirë, me Evertonin që para fundit të pjesës së parë arriti të barazojë me Colemanin. Barazimi i dha zemër për pjesën e dytë formacionit të Koemanit që rrezikoi disa herë për të marrë epërsinë. Gjithsesi pas një goditje këndi në të 86-tën Williams arriti t’i japë epërsinë të tijve. Emocionet megjithatë në këtë sfidë nuk kishin përfunduar pasi në të 94-trën, e gjitha mbrojtja e liverpulasve e rreshtuar te vija e portës arriti të largojë rrezikun duke rikthyer te suksesi Evertonin pas 6 javësh, ndërsa për “Topçinjtë” ishte vetëm humbja e dytë sezonale dhe e para pas 14 ndeshjesh.

Artikulli paraprakDele Alli, i premton besnikëri Tottenhamit
Artikulli tjetërRonaldo sfidon Mesin