Mesfushori ka shfryrë pas ndeshjes, teksa ka deklaruar se njerëzit në kohët e futbollit modern harrojnë shumë shpejt lojtarët e rëndësishëm. Ai vulosi fitoren e dhjetë radhazi për blutë e Londrës dhe tani gjërat mund të ndryshojnë edhe sa i përket së ardhmes, pasi prej kohësh spanjolli është cilësuar si një lojtar me valixhe në dorë.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por ne ia dolëm. A ishte një lehtësim për mua? Besoj që po. Duhet të jetë kështu… Njerëzit që po shijojnë futbollin modern harrojnë shumë shpejt se kush je, çfarë bën apo çfarë ke dhënë për futbollin. Por unë asnjëherë nuk jam dorëzuar”, tha ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Arsenalit.
Sa i përket ankthit që shkakton një ndeshje me rezultatin 1-0, Fabregas u përgjigj me sinqeritet: “Po, ndonjëherë është e sikletshme edhe për ne futbollistët që jemi në fushë, imagjinoni më pas për tifozët… Ishte një ndeshje e bukur dhe titulli mund të fitohet edhe duke i fituar shumë ndeshje 1-0, por ne duhet t’i mbyllim ndeshjet dhe të shënojmë edhe gola të tjerë kur na jepet mundësia. Gjithsesi tani do ta shijojmë këtë moment, sepse të jem i ndershëm asnjë nga ne nuk e kish imagjinuar dy muaj më parë se do të realizonim një seri prej 10 fitoresh radhazi…”.