Fabrika e ushqimeve falso, në pranga inspektori dhe ish-inspektori i AKU

Një inspektor i AKU-së Shkodër dhe një ish-inspektor kanë rënë në pranga lidhur me fabrikën e zbuluar një ditë më parë, në të cilën prodhoheshin produkte ushqimore në kundërshtim me ligjin.
Uniformat blu kanë arrestuar inspektorin Adnan Gradeci 51 vjeç dhe ish-inspektorin Abdyl Bajraktari 53 vjeç.
“Shtetasit e lartpërmendur janë ndaluar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur ka qenë në punë edhe shtetasi Abdyl Bajraktari, në zonën industriale, lagje “Skënderbeg” në objektin e firmës në pronësi të shtetasit Gëzim Bala, dy punonjësit e AKU-së dega Shkodër, kanë mbajtur proçesverbale të rreme mbi kushtet e ambjentit ku prodhoheshin produktet ushqimore”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Shkodër, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Një ditë më parë, Policia e Shkodrës zbuloi një fabrikë, e cila prodhonte produkte ushqimore në kundërshtim me ligjin. Në pranga janë vënë pronari i punishtes dhe dy punëtorë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Artikulli paraprakTaksimi i “Rrugës së Kombit”, më pak pushues nga Kosova në Shqipëri
Artikulli tjetërZbulohet sa lehtë blihet në Tiranë armë zjarri pa leje me 350 mijë lekë