Nga Ermal Peçi
Ajo që ishte paralajmëruar si një protestë që do të tundte regjimin doli në fakt që ishte vetëm një shëtitje në bulevard. Krijimi i Konfederatës së Opozitës në fakt nuk solli asgjë të re përveç një lidhje live ku kryefjalën e mori regjia, e cila kishte tentuar ta sillte me çdo formë praninë e Sali Berishës në skenë nëpërmjet Skype.
Por përtej pjesëmarrjes së vogël në numra të një opozite që bërtet që është shumicë, dje protesta prodhoi dhe fabulën e radhës së mungesës së mortalitetit që kjo opozitë përfaqëson. Koha po tregon që Rithemelimi nuk po prodhon më opozitë, por vetëm një fabul. Babai i kombit turk Qemal Ataturku shprehej se: “ata, të cilët janë të prirur të bëjnë kompromise nuk mund të bëjnë revolucione”
Revolucionet e Sali Berishës që në momentin kur është shpallur non grata ka bërë shumë kompromise, që nga rrëzimi i Edi Ramës për 6 muaj, tek fitorja e zgjedhjeve në 14 maji e më pas tek heqja e non gratës. E gjithë kjo ka sjellë dhe shfryrjen e kësaj lëvizje, e cila u pa dhe në protestën e djeshme. Rithemelimi tashmë ka krijuar një fabul, që ata janë të vetmit që luftojnë regjimin, por në fakt ata janë që po e mbajnë në këmbë këtë sistem.
E para, po e mbajnë në këmbë këtë sistem sepse po e luftojnë SPAK-un në çdo mënyrë. Po tentojnë të mbajnë gjallë politikisht një person, i cili në thelb është izolantrik, por mbi të gjitha po zhvendosin fokusin e opozitës. E djeshmja e tregoi qartë, në mëngjes bashkuan vota me Partinë Socialiste për të amnistuar gjithë zyrtarët e lartë që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit, pasdite mblidhen që të luftojnë Bashën e të bërtasin na ktheni vulën.
Këtë thirrje e bën ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, i cili certifikoi Kuvendin e 18 dhjetorit të 2021 dhe në darkë performojnë në media se ata po luftojnë regjimin e Ramës. Kjo është fabula e ngritur, e cila tashmë qytetarët jo vetëm po e braktisin, por edhe po e kuptojnë që kjo lëvizje nuk është për qytetarët e të ardhmen e Shqipërisë, por për të mbajtur në lojë dinozaurët e trazicionit, të cilët janë dhe dinozaurët e korrupsionit.