“Faikun e kam në “dollap”, financo varrimin në atdhe”- Letrat e Nolit për Enver Hoxhën, pse diktatori refuzoi kthimin e eshtrave të Konicës

Faik bej Konica ishte figurë qendrore e lëvizjes kombëtare, studiues i historisë dhe gjuhës shqipe, botues, publicist, gazetar, drejtues i “Vatrës” dhe diplomat shqiptar.

 

Ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkohshmja e tij “Albania” ka qenë ndër tribunat e publicistikës shqiptare për trembëdhjetë vjet. Vetë Konica është i njohur për erudicionin, publicistikën, stilin dhe ndikimin që pati në kulturën dhe politikën shqiptare. Është po ashtu autor i dy romaneve të shkruara në gjuhën frënge me nofkën Jean de Croia (sq. Gjoni i Krujës), “Le mariage de Leila suivi de Sotiri et Mitka” (Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka) botuar më 1911 në Paris. Ai po ashtu ka mësuar edhe gjuhën italiane. U lind në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë, i biri i Shahin beut dhe Zeliha hanëm Delvinës, i treti ndër katër djemtë, Mehmeti, Rustemi dhe Hilmiu?.

Muaji i lindjes figuron i dokumentuar në prill – ndryshim që mbase lidhet me ndryshimet në kalendarët e zbatuara në atë periudhë. Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privatë. Më 1883 vizitoi të motrën, Xheva hanëm që në atë kohë banonte në Shkodër. Ndoqi shkollën saveriane në dy vite shkollore 1883-1885 ku ndoqi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll gjatë viteve 1886-1887. Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux në Normandi; më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne në jug të Francës ku studioi deri më 1894, duke u përqendruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine.

Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) më 16 nëntor 1895, ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim “beg Faik – Dominik Koniza”. Në vitet 1895-1896, Konica filloi studimet pasuniversitare tek Collège de France në Paris, ku u përqendrua në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.

SHPËRNGULJA

Në 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi të përkohshmen “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze. Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur Sophie Annette Hugon, me të cilën, në 1897, pati një djalë të quajtur Henrik. Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studioi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e Diellit, botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”.

Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Vatrës më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëherë ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. Vatra bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë.

Përreth një muaj rresht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA. ARKIVAT Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet kërkesa për punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romane, kryesisht frëngjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A.-së dëshironte të punonte, ai iu përgjigj: “Në 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasshme kudo”. Sipas studiuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy viteve në kuadrin e Vatrës. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut dhe jo në arkivën e universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse.

Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitetin e Pekinit në Kinë. Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës” i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët morën vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishte quajtur “njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët” në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës së Mesme.

Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga. Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austrohungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t’u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë. Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të “Vatrës” për t’u bërë kryetar i saj Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur. Më 1923 u takua në Boston me 20- vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t’i ofronte miqësinë e tij. Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij. Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Faik Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian.

Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar. ”Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, – thuhet në testamentin e Konicës. Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe.

Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë. Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.

KËRKESA

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Në librin “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, shkrimtari Nasho Jorgaqi shkruan se Noli i drejtohet Enver Hoxhës me të cilin ka pasur një letërkëmbim të gjatë në vitet 1945-1946. “Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”, – i shkruante Noli udhëheqësit komunist. Por Enver Hoxha nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje. Më tej lexojmë t’i ketë shkruar Sejfulla Malëshovës: “Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”. Por duket se edhe Malëshova nuk i ktheu asnjë përgjigje. Noli do të ikte nga kjo botë me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij. Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.

Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

VEPRA

Veprimtaria kulturore letrare e Faik Konicës në shërbim të atdheut përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris nxjerr në dritë librin Shqipëria dhe turqit. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën “Albania” dhe “Albania e Vogël”. Më 1909 i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën Dielli, krahas saj të përkohshmet “Trumbeta e Krujës”, “Ushtimi i Krujës”. Bota e Re etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare. Disa nga këto krijime janë: “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m’u duk”, përkthimi “Nën hijen e hurmave”, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer asnjë me emër, pajis me dijeni të gjithanshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip.

Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi. Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qellim të qartë prej atdhetari, përparimin mëtejshëm në vendin tonë. Me këshillat, “ruaju nga vetja e nga të tjerët” në një farë mënyre u drejtohet bashkatdhetarëve si prind e vëlla. Shumë nga krijimet e Konicës kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë Malli i Atdheut, Ca kujtime mi At Gjeçovin, Anës Liqenit, Në liqen, Bora, Jeta e Skënderbeut, Abdul Frashëri, Naim Frashëri, Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndjeshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e natyrën.

Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembull për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, At Gjeçovin, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik.

/Gazeta Panorama

Exit mobile version