Më shumë se 18 persona që nga “viti i drogës”, 2016, rezultojnë të zhdukur vetëm për qarkun e Vlorës. Një serial tronditësh rrëmbimesh për të cilat dyshohet se të gjitha kanë përfunduar me vrasje, ende nuk ka asnjë autor nga policia dhe prokuroria. Pikërisht në ditën e flamurit që u ngrit në qytetin e Vlorës me rastin e pavarësisë së Shqipërisë, emisioni “Top Story” i kushtoi ditën e djeshme një investigim këtyre “zhdukjeve” duke sjellë fakte të reja tronditëse.
Gazetarët kanë mundur të sigurojë dëshmitë e familjarëve të Gazmend Merkaj, një nga të shumtët persona të zhdukur si pasojë e përplasjeve të organizatave kriminale të drogës në qytetin Vlorës. Merkaj dhe pse jetonte në një apartament shumë afër Drejtorisë së Policisë së këtij qarku, qëndronte i ngujuar në shtëpi nga frika e ekzekutimit.
Nëna e tij, Aleksandra Merkaj ka rrëfyert për emisionin në fjalë, se i biri, e ka telefonuar duke i thënë se do e vrasin dhe atë. “Para një jave e kishte marrë të vëllanë në telefon, i thoshte mos dil se do të vrasin. Më thoshte dhe mua mos dil shumë, se do të vrasin dhe ty. Ata që kam ngrenë e kam pirë do më vrasin, më tha”, rrëfen nëna.
Gazmendit i është marrë pasaporta dhe çdo mjet tjetër identifikimi, ndërkohë që miqtë e ftonin për të dalë jashtë Vlorës. Grupi e konsideronte Gazmendin një njeri të dobët, jo të besuarin e tyre, ndërsa ai, në një mbrëmje të fundit të korrikut i shikon nga dritarja që i vinin rrotull makinës së parkuar. Ky a qenë momenti kur 36-vjeçarin e zë paniku.
Gazmendi dyshon se i kanë vendosur lëndë eksplozive, ndaj dhe lajmëron policinë.
“Pashë dy veta nga dritarja që më vendosen tritol në makinë. I kuptova se kush ishin ata që vendosen tritolin. Ai që e vendosi tritolin më pa, unë ika lajmërova policinë e Vlorës për tritolin, pastaj ika vajta në Fier sepse këta të Vlorës i mbulojnë kriminelët, këta që bën këtë veprimin në makinë”, tregon nëna e tij përpara kamerave.
Pas kësaj ngjarje, më 1 gusht 2016 Gazmendi është dorëzuar ne komisariatin e Policisë së Fierit. Oficerëve të policisë, Gazmendi u ka treguar se kishte dijeni mbi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhur në Vlorë. 36-vjeçari u tha hetuesve se Albano Xhaferri ishte rrëmbyer dhe ekzekutuar me çekiç në makinë dhe se ai i njihte autorët. Gazmendi u ka rrëfyer se ndihej i kërcënuar nga miqtë e tij, Ardian Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj.
“Unë me këtë Edisonin, Gazmendin s’e kam parë asnjëherë, ndërsa me këtë Sokolin, Shakajn dhe me Klodin që kanë ndërruar emrat, me ata ishin shok. Kur kanë ardhur nga Italia, më kanë marrë pasaportën thotë”,vazhdon rrëfimin nëna e Merkajt.
Gazmendi tregon se ka mësuar prej tyre rrëmbimin e Albanos qëllim për ta dorëzuar në ambientet e kompleksit ‘Oslo’. Rrëmbimi bëhej për llogari të Edison Harizajt sepse Albano gjithashtu kishte dijeni për atentatin, që iu organizua Ferdinand Llanajt, ngjarje kjo e ndodhur në muajin tetor të vitit 2017.
Për këtë qëllim, sapo është kthyer nga Blegjika, Albano është ndjekur për një kohë të gjatë me makinën tip Benz 250 ngjyrë e erret në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj. Për vrojtim më të mirë, makinës i janë bërë edhe dy vrima, e vërtetuar kjo nga prokuroria, e cila ka gjetur makinën tip Benz në fshatin Poçem të Tepelenës. Ndërsa makina tip Audi është në kërkim. Fillimisht ajo është sjellë në Tiranë për t’u pastruar dhe ende nuk dihet vendndodhja e saj. Gjatë transportit, nga rruga trasballkanike për tek ‘Oslo’, Albano është marrë në pyetje, ku përveç kërcënimeve është goditur në kokë dhe me çekiç. Kështu ka gjetur vdekjen 34 vjeçari, trupi i të cilit është i zhdukur.
I arrestuari i vetëm për këtë ngjarje kriminale u la i lirë pasi Gjykata e Apleit të Vlorës nuk gjeti elementë të veprës kriminale që implikonin personin që vetëm ka bërë larjen e makinës Audi në Tiranë. Prokuroria është në kërkim të trupit të Albano Xhaferrit që do të vërtetojë dëshminë e Gazmend Merkaj, i penduari i vetëm i kësaj ngjarje. I vënë nën akuzë për armëmbajtje pa leje, Merkaj ndodhet në dhomat e paraburgimit në Fier ndërsa familjarët e tij në mëshirë të fatit. Në shtëpinë e prindërve, në lagjen e njohur si Çole në Vlorë, nuk ka asnjë punonjës policie.