Faktori “Anfield”

Liverpool do të presë Chelsea-in pas tri fitoreve radhazi të marra në Premier League. Skuadra e Jurgen Klopp është kthyer në garë për vendet e para të renditjes dhe një fitore sot do t’i ndihmonte ata të barazoheshin me pikë me kampionët në fuqi. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, duke parë se, “Blutë” po kalojnë gjithashtu një moment të mirë, me katër fitore radhazi në kampionat.
Shifra dhe Fakte
– Kjo do të jetë përballja numër 167 mes këtyre dy ekipeve. Një sfidë klasike në kohëra moderne, me vendasit që janë në avantazh në takimet e luajtura në “Anfield”: 71 fitore, 42 barazime, 53 humbje.
– Në 33 takimet e fundit të luajtura në shtëpi, Liverpool ka marrë 20 fitore, 11 barazime dhe 2 humbje, por është interesant fakti se asnjë nga 9 ndeshjet e fundit mes këtyre dy ekipeve nuk është fituar nga ekipi pritës.
– Liverpool nuk fiton në “Anfield” kundër Chelsea që nga 2012-a (6 ndeshje) dhe tri përballjet e fundit të luajtura në fushën e “Të Kuqve” janë mbyllur me rezultatin 1-1.
– Nën drejtimin e Antonio Conte, Chelsea ka fituar të gjitha 16 ndeshjet e Premier League në të cilat Eden Hazard ka shënuar. Por lojtari më i mirë i londinezëve, deri tani, është Alvaro Morata, i cili ka realizuar tetë gola dhe ka dhënë katër asiste në 12 ndeshje të luajtura në kampionat.
– Liverpool ka marrë katër fitore në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 16 gola në këto pesë takime.
– Në gjashtë përballjet e fundit të luajtura mes këtyre dy skuadrave janë dhënë mesatarisht 4.67 kartonë të verdhë për ndeshje, por nuk ka patur asnjë karton të kuq që nga viti 2009-të (22 ndeshje).
Ylli i Chelsea, Eden Hazard, e ka quajtur Mohamed Salah top lojtar, si dhe ka thënë se tash sulmuesit të Liverpoolit nuk iu dhanë mundësitë që i meritonte sa ishte te Chelsea. Salah, i cili kaloi nga Roma te Liverpooli verës që lamë pas, ka shënuar nëntë gola dhe dhuruar dy asiste në 12 ndeshje në Premier Ligë deri më tani.
Gjatë sezoneve 2013-‘14 dhe 2014-‘15, egjiptiani 25-vjeçar nuk arriti të gjente vend tek skuadra e Jose Mourinhos. Para ndeshjes derbi të së shtunës mes Chelsea dhe Liverpool, Hazard e ka lartësuar Salahin. “Ai ende është miku im. Ende jemi në kontakt. Salah është top, top, top lojtar”, ka thënë Hazard.
“Atij nuk iu dhanë mundësitë në Chelsea, por ne e dimë për cilësitë që i posedon ai. Është sulmues fantastik dhe ka shënuar shumë gola këtë sezon”, shtoi belgu.

Artikulli paraprakTregu i sigurimeve në rritje, paguan 30 milionë euro
Artikulli tjetërAbuzimi, rriten me 15% çmimet e cigareve