Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum, zëdhënës i CDU-së në Bundestag për çështjet europiane, përcolli një mesazh të qartë dhe kritik ndaj qeverisë aktuale, duke theksuar mbështetjen e CDU-së për Koalicionin Euroatlantik dhe Lulzim Bashën.
Në fjalën e tij, Falenski u ndal tek raportet ndërkombëtare që denoncojnë përhapjen e korrupsionit në çdo nivel të qeverisjes në Shqipëri. “Korrupsioni është pothuajse kudo – nuk mund të jetosh pa paguar njerëz të caktuar,” – tha ai, duke iu referuar raportit të BE-së për Shqipërinë. “Kudo dhe kurdo që të kesh të bësh me qeverinë, përballesh me korrupsion. Është bërë një tumor” – tha ai.
Falenski theksoi se vetë gjuha e përdorur nga BE në dokumentet zyrtare është tregues i një situate alarmante: “Shqetësim serioz” në zhargonin e BE-së do të thotë: “O njerëz të qeverisë Rama, shtëpia juaj po digjet!”. Dhe i vetmi zjarrfikës është SPAK-u – të cilin po përpiqeni ta pengoni.”
Pjesë nga fjala:
1. “Korrupsioni në shumicën e fushave… i përhapur” do të thotë në gjuhën e zakonshme: Korrupsioni është pothuajse kudo – nuk mund të jetosh pa paguar njerëz të caktuar.
2. “Korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë qendrore dhe lokale dhe institucioneve” do të thotë në gjuhën e zakonshme: kudo dhe kurdo që të kesh të bësh me qeverinë dhe autoritetet e saj, përballesh me korrupsion. Një tumor!
3. Dhe, kjo e gjitha jep “ende shqetësime serioze”. “Ende”do të thotë: O njerëz të qeverisë Rama! Po bëni ende shumë pak për luftën kundër korrupsionit!
Dhe më pas vjen dhe më keq: “Shqetësim serioz”, shkruan BE-ja në dokumentin e pozicionimit. Kjo është një gjuhë shumë speciale e BE-së. Në gjuhën e zakonshme, do të thotë: O njerëz të qeverisë Rama, shtëpia juaj po digjet! Dhe i vetmi shërbim zjarrfikës që mund ta shuajë zjarrin është SPAK-u, dhe ju po përpiqeni ta pengoni edhe atë në punën e tij! Kjo nuk mund të pranohet!
Do të turpërohesha si qeveri, po të nënshkruaja një dokument të tillë pas 12 vitesh në pushtet dhe katër vjet e gjysmë pas vendimit të BE-së për fillimin e negociatave të anëtarësimit në mars të vitit 2020!
Kjo nuk është gjë tjetër veçse një pohim i dështimit!
Dhe a mund të rregullohet e gjithë kjo brenda pak më shumë se tre vjetësh, deri në fund të vitit 2027?
Për këtë nevojitet një ndryshim politik i plotë dhe forca të tjera politike.
Për këtë na duhet një ndryshim thelbësor i politikës këtu, në këtë vend!
Dhe madje edhe atëherë, nuk do të ishte e mundur të shpëtohej ky tumor i korrupsionit brenda tre vjetësh sa duhet për të përfunduar negociatat e anëtarësimit.
Për të arritur në këtë drejtim, është e rëndësishme që sa më shpejt të ndodhë një ndryshim politik me forca të tjera politike!
Dhe një ndryshim të tillë politik e shoh vetëm nën udhëheqjen e Koalicionit EuroAtlantik me Lulzim Bashën në krye!
I dashur Lulzim! Në Gjermani po ndiqet me shumë vëmendje sa i fortë dhe guximtar je për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që SPAK të mund të kryejë punën e tij pa pengesa. Për këtë të jemi shumë mirënjohës!
Dhe gjithashtu po shihet qartë kush nuk po angazhohet për këtë, megjithëse është i detyruar nga pozita e tij qeveritare.
Por ju, miqtë e Koalicionit EuroAtlantik, tregoni me fjalë dhe vepra se jeni të vendosur ta luftoni korrupsionin! Faleminderit! Vazhdoni kështu në këtë rrugë!
Kush shikon programin tuaj, merr përgjigje bindëse dhe konkrete për mënyrën se si do të luftohet korrupsioni.
Sepse ju filloni nga lart: për çdo politikan duhet të ketë një proces verifikimi si për gjykatësit dhe prokurorët. Dhe me heqjen e imunitetit të deputetëve, SPAK do të ketë mundësinë të veprojë kundër korrupsionit atje ku ai është prezent.
Kjo është guximshme!
Kjo është e drejtë!