Një kombinim i konkurrencës së shtuar nga qendrat tregtare, rënies së fuqisë blerëse, taksave të rritura bashkiake, por edhe ndryshimit të preferencave të konsumatorëve, po çon në krizën dhe fillimin e falimentit të dyqaneve të veshjeve në kryeqytet…
Dyqanet e shitjeve me pakicë në kryeqytet kanë raportuar rënie të shitjeve të tyre në muajt e parë të këtij viti. Disa prej tyre janë detyruar të shpallin në dy faza “dështimin e tregtisë”, fillimisht nëpërmjet uljeve të mëdha në artikujt e pranishëm në dyqane dhe më pas, në braktisjen e dyqanit. Një përfaqësuese e shitjes së një dyqani në rrugën “21 dhjetori” në Tiranë ka treguar për “Monitor” se në 2 vite që merret me shitjet e dyqanit me artikuj këpucësh, ky vit ka pësuar rënien më të ndjeshme të shitjeve.
E pyetur për shkaqet, ajo tregon se shqiptarët kanë nisur të tregojnë gjithnjë e më shumë tendenca të kërkimit të artikujve më të lirë dhe të shumë skontove për një artikull, gjë që shpesh është e pamundur, duke qenë se secili nga artikujt e pranishëm në dyqan ka një kosto të caktuar për të mbuluar. Nga ana tjetër, ajo tregon, duke mos lënë pa përmendur edhe ekzistencën e tregjeve në kryeqytet, se janë shtuar shumë dyqanet e shitjeve me pakicë, tendencë e 2-4 viteve të fundit, ndaj konkurrenca është bërë më e ashpër duke qenë se çdo lagje ka një mori dyqanesh. “Edhe kur tentuam që të krijonim diferencën me cilësinë, u gjendëm përpara faktit që shqiptarët duan të blejnë lirë dhe mirë, kështu që jemi bërë të gjithë rrugët kryesore që tregtojmë me të njëjtin mall”, vijon të tregojë ajo.
Shitësja nga ana tjetër, pohon se me vendimin për të mbyllur aktivitetin nga pronari, e me uljet që kanë nisur të bëjnë që të heqin mallin, gjysmës së tyre nuk u nxirret dot as kosto fillestare. Të tjerë fqinj tregtarë në të njëjtën rrugë konfirmojnë rënien ‘ekstreme’ të shitjeve sipas tyre, teksa tregojnë se përpiqen që herë pas here, të bëjnë “ulje reale’ që të tërheqin blerës.
Edhe tregtarët e tregut të njohur me emrin e Çamëve raportojnë se kanë pasur një rënie të shitjeve në muajt e parë të këtij viti, si mungesë e fuqisë blerëse sipas tyre. Konkurrenca nga qendrat tregtare, ndërkohë është shtuar ndjeshëm, teksa më të mëdhatë synojnë gjithashtu klientin e mesëm dhe të ulët dhe tërheqin blerësit me zbritje të mëdha, por dhe forma të tjera argëtimi.
Një pjesë e klientëve, ata më kërkues për cilësinë dhe markat, që gjithsesi mbetet më e vogël në numër (ka vetëm 81 mijë përdorues të kartave të kreditit në 2.8 milionë banorë), po orientohen drejt blerjeve të leverdisshme online. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, volumi i transaksioneve online ishte 34.6 miliardë lekë në dhjetor 2015, nga 21.7 miliardë lekë në dhjetor 2014.