Familja e Presidentit Joe Biden, thuhet se ka filluar të hartojë një plan të mundshëm tërheqjeje nga gara presidenciale e vitit 2024 të presidentit.
Sipas burimeve të NBC News, familja e presidentit është fokusuar tek shqetësimet e shëndetit të tij dhe si mund të ndikojnë në stabilitetin e vendit.
Thuhet se diskutimet në familjen presidenciale janë fokusuar po ashtu edhe në pasojat që do të sjellë kjo tërheqje nga gara dhe vendosjen e një kandidati të ri demokrat përballë Trump.
“Perspektiva e shqyrtimit të largimit të Biden, e aq më pak që familja e tij po përgatit një plan të mundshëm, është një zhvillim i jashtëzakonshëm që vjen pasi ai ka thënë vazhdimisht se nuk do të heqë dorë nga pozicioni i tij si kandidati i supozuar i partisë”, raporton NBC News.
Por pavarësisht këtyre deklaratave, Shtëpia e Bardhë ka mohuar plotësisht diçka të tillë, duke u shprehur se Biden do të vijojë të jetë në garë.
“Kjo nuk ka ndodhur” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates. “Individët që bëjnë këto pretendime nuk po flasin për familjen ose ekipin e tij, dhe do të provohet se kanë gabuar”.
Publikisht, edhe vetë Biden ka thënë se do qëndrojë në garë dhe se beson se është kandidati më i fortë kundër Trump.
Në emisionin “Morning Joe” të MSNBC, menaxherja e fushatës së Bidenit, Jen O’Malley Dillon pranoi se fushata ka pasur disa probleme, por duke theksuar se ishte diçka e përkohshme dhe këmbënguli se Biden është absolutisht ende në garë.