Familja kryeministrore me Bursë private

Në konflikt të hapur interesi dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, Abi Bank (Amerikan Bank of Investment) e drejtuar nga bashkëshortja e Ramës, Linda Rama, ka marrë licencën për hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Projekti për ngritjen e kësaj burse private ka qenë një nismë e vet bankës së drejtuar nga bashkëshortja e kryeministrit si dhe një banke tjetër dhe një shoqërie financiare. Projekti i është paraqitur për miratim Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili e ka miratuar atë symbyllazi, duke i dhënë gruas së Ramës licencën për hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Bursa e parë private në Shqipëri u licencua, me aksionerë Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) dhe AK Invest.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, tha se janë krijuar kushtet për hapjen e një burse private në Shqipëri, sepse shoqëritë shqiptare private duke iu referuar bankës iniciatore të Linda Ramës sipas tij “janë maturuar dhe do të jenë të afta për t’u licencuar në bursë, për të tregtuar”. Melani ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në një aktivitetet disaditor të organizuar nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës.
Me pak fjalë e gjithë shitblerja e aksioneve që do të regjistrohen në këtë bursë, huamarrja përmes obligacioneve nga qytetarët si dhe titujt që qeveria dhe bashkitë do të tregtojnë aty do të jenë tërësisht në duart e kryeministrit.
“Ne në mbledhjen e datës 3 dhe 5 korrik kemi licencuar Bursën e parë private në Shqipëri. Ajo mendohet të funksionojë si Bursë klasike. Vitin e parë vetëm me letrat me vlerë, për të bërë edhe një lloj testi të tregut dhe në këtë mënyrë, ne mendojmë se pas rreth 1 viti të ecim drejt listimit të aksioneve të shoqërive shqiptare, që tashmë besoj se kanë kaluar fazat e para të tranzicionit. Kanë kaluar fazat e 2 bilanceve, 3 bilanceve e kështu me radhë dhe pas një lloj fushate kundër informalitetit, tashmë ekonomia besojmë se është në shinat e duhura dhe shoqëritë shqiptare private do të jenë të afta për t’u listuar në bursë, për të tregtuar aksione, për të marrë para borxh nëpërmjet obligacioneve nga qytetarët, ashtu siç dhe qeveria e bashkitë mund të tregtojnë titujt në këtë bursë”, është shprehur Melani.
Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare konfirmoi se ka qenë nisma e vet bankës përfituese në paraqitjen e një plani për hapjen e një burse private dhe si të vetmit që kishin paraqitur këtë plan u është dhënë edhe licenca. “2 banka dhe një shoqëri financiare kanë marrë nismën, kanë kontaktuar palët e interesit, kanë kontaktuar biznese, kanë bërë një biznesplan, kanë kontraktuar një sistem të tregtimit të titujve që është i njëjti sistem që përdor Bursa e Sllovenisë, kanë përgatitur të gjithë kuadrin rregullator, kanë testuar tregun dhe mendojnë që tregu do të funksionojë”, ka bërë të ditur Melani.
Mjafton vetëm fakti se pikërisht është Linda Rama, ajo që do të hapë bursën e parë private e që do të ketë marrëdhënie financiare me qeverinë e bashkitë për të evidentuar shkeljen e rëndë ligjore, dhe dhënien në konflikt të hapur interesi të licencës nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Berisha: Prokuroria të anulojë vendimin e Autoritetit Mbikëqyrës

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të anulojë vendimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar Jo bankar, i cili i ka dhënë licencën e bursës private, bankës e cila është në pronësi të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama. Përmes një denoncimi në Facebook, Rama thotë se  ky vendim është në kundërshtim të plotë me ligjet shqiptare si dhe në konflikt të hapur interesi.
“Noriega, pas bankës private tani dhe me bursën private! Edi Rama bëhet tani me bursë familjare! Të dashur miq, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes të Tregut Financiar jo bankar, Melani njoftoi vet nëpërmjet VOA se i ka dhënë licencën e bursës private, Abbi Bank, pra bankës së zonjës Rama, bankë e regjistruar në shpellat e zeza të parajsave fiskale ku besohet se Rama fsheh qindra milionë euro.
Melani u emërua para disa muajve me urgjencë të madhe në kundërshtim me ligjin, në vend të zonjës Shehi, e cila u largua nga detyra pa asnjë motiv. Me këtë njoftim që dha Melani, del se misioni i tij urgjent paska qenë që të bëjë Edi Ramën me bursë private, gjë që nuk e realizonte dot me paraardhësen e Melanit.
Nuk jam kundër ngritjes së bursës private as dhe privatizimit të asaj publike. Por ky është një skandal i radhës, veprim antiligjor dhe në konflikt të plotë interesi. Tani familja Rama shndërron me bursën e vet qindra milionë euro në aksione, tentakula në qindra ndërmarrje private dhe blen duke dërguar për privatizim në bursën e tij çdo ndërmarrje apo aset publik apo privat që ai i vë syrin! I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të anulojë menjëherë këtë megaaferë korruptive!

Si funksionon bursa

Bursa (lat. bursa -trastë, qese) është një treg i organizuar për aksionet, huanë, valutën, apo mallra të caktuara. Bursa është një vend ku shoqëri aksionare, ndërmarrje dhe firma të ndryshme private drejtohen për të ngritur fondin e investimeve dhe siguruar kapitalet e tyre. Sigurimet tregtohen nga anëtarët e bursës, që veprojnë si agjentë (komisionerë) dhe kryetarë (shitës ose tregtarë). Shumica e bursave kanë një vend real (por edhe virtual) ku komisionerë dhe tregtarë takohen për të kryer urdhërat e institucioneve dhe investorëve individualë që përfaqësojnë për të blerë dhe shitur sigurime. Çdo bursë vendos kërkesat e veta për anëtarësim. Bursa e Nju Jorkut ka kërkesat më të rrepta. Në bursë kryhet shitblerja e sigurimeve të tilla si fondet dhe bonot. Një bursë bën të mundur ngritjen e financimit me anë të shitjes së mallrave tek investitorët e huaj. Ajo krijon një mekanizëm për vlerësimin e shoqërive nëpërmes procesit të zbulimt të çmimit dhe një mjet me të cilin një informacion i tillë është përhapur.

Lidhjet e Linda Ramës me bankën që vjen nga kompani offshore

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.

Pronësia e panjohur

Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe Neë Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, Neë Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe Neë Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?

Pikëpyetje të mëdha ligjore

Baza ligjore që rregullon licencimin e bankave është “Politika e licencimit të subjekteve bankare”. Në këtë dokument  përshtatshmëria e aksionerëve konsiderohet si një nga kushtet kryesore për licencimin e një banke. “Banka e Shqipërisë në shqyrtimin e kërkesave për licencë vlerëson kapacitetet financiare, integritetin dhe reputacionin etik dhe profesional të aksionerëve (themeluesve) të subjektit bankar, për arsye se këto elementë janë të rëndësishme dhe ndikojnë direkt në besueshmërinë e publikut ndaj bankës dhe ndaj sistemit bankar, në përgjithësi”, thuhet në rregulloren e licencimit, e cila ka fuqinë e ligjit. Syri.net kontaktoi një nga ekspertët më të njohur të sistemit financiar në vend, i cili në kushtet e anonimatit konfirmoi plotësisht dyshimet mbi licencimin e bankës. “Ka një arsye shumë të thjeshtë se pse rregullorja kërkon transparencën e aksionerëve. Banka është një institucion besimi. Por si mund t’i vlerësosh aksionerët, kur ata janë të panjohur”, deklaroi ai. Pse Banka e Shqipërisë pranoi të licencojë një bankë me aksionerë fantazmë? Kush qëndron pas Bankës Amerikane të Investimeve? Dhe a është rastësi që një vit, pasi guvernatori Gent Sejko i dorëzoi publikisht licencën Abi Bank, në bordin drejtues të saj ulet bashkëshortja e kryeministrit të vendit? Këto janë pikëpyetjet që ngre licencimi i dyshimtë i Abi Bank dhe përfshirja e familjes kryeministrore në këtë institucion. Pikëpyetje, të cilat me gjasa do të marrin përgjigje gjatë muajve në vijim.

Arben SHAHINI

Exit mobile version